Futboll

Qëllimi i Sllovenisë – fitorja në “Fadil Vokrrin” e stërmbushur

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Sllovenisë, Matjazh Kek

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Sllovenisë, Matjazh Kek, pranon se ndeshja kundër Kosovës do të jetë shumë e vështirë. Por ai ka thënë se në Prishtinë, Sllovenia synon pikët e plota për të mbajtur gjallë shpresat për pljeofin e Kupës së Botës 2026.

Ndeshja Kosovës – Slloveni luhet të premten nga ora 20:45. Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë pritet të jetë i stërmbushur.

“Jemi të vetëdijshëm për forcën e Kosovës që kur Franco Foda u bë trajner. Ata kanë një ekip shumë kompakt me individë të shkëlqyer që luajnë në klube të mira. Disa emra bien në sy. Kemi përgatitur një plan, por po mendojmë për çështjet tona për të rregulluar atë që nuk ishte mirë në Zvicër. Duam të fitojmë çdo ndeshje”, ka thënë Kek për mediat sllovene para seancës së fundit stërvitore në Brdo.

Sllovenia ka udhëtuar në Kosovë me ekip të kompletuar.

Kosova do ta ketë përkrahjen e madhe nga tribunat. Por për përzgjedhësin Kek, atmosfera në stadium duhet të jetë vetëm një motiv shtesë për lojtarët e tij.

Ai insiston se fitorja kundër Kosovës mbetet qëllimi kryesor i Sllovenisë.

“Kjo duhet të jetë një motiv shtesë edhe për ne. Është më mirë të luash para një stadiumi të mbushur plot në një atmosferë të zjarrtë sesa diku ku mund të dëgjohet çdo zë. Nuk e di se çfarë mund të jetë një motiv dhe energji shtesë më e madhe për një kundërshtar sesa brohoritja. Është e qartë se do të jetë me zë të lartë dhe se ndoshta do të ketë disa bileta të tjera në shitje. Do të ketë edhe disa nga tifozët tanë. Një numër ushtarësh sllovenë do të jenë atje dhe kjo duhet të respektohet. Duhet të tregojmë karakter dhe të nxjerrim energji shtesë nga kjo ‘kundër-atmosferë’”, ka theksuar ai.

Sipas Kekut, faktorët vendimtarë do të jenë duelet e shumta në fushë, agresiviteti i vërtetë dhe lufta për topin e dytë të rikuperuar.

“Në çdo ndeshje, ju nevojitet gjithashtu durim dhe përqendrim. Është konfirmuar se jemi në një grup ku rezultati mund të shkojë shpejt në njërën ose tjetrën anë. Plani taktik duhet të lihet për në dhomën e zhveshjes, por gjëja më e rëndësishme do të jetë gjuha e trupit, vetëdija për rëndësinë e ndeshjes, vetëbesimi, vendosmëria dhe trimëria”, thotë Kek

Ai nuk ka zbuluar taktikën, por ka shtuar se janë ndeshje ku në fund vetëm rezultati ka rëndësi.

“Të dyja ekipet kanë provuar tashmë se mund të luajnë futboll të mirë. Por unë jam i interesuar vetëm për ekipin tonë. Ne dimë gjithçka që duhet të dimë për ta. Ne kemi cilësinë tonë dhe duhet të luajmë të relaksuar dhe të vendosur. Kemi një ide se si të luajmë, por tani duhet ta kuptojmë këtë në fushë”, thotë Kek.

Ai ka theksuar se nuk do të ishte fundi i botës nëse Sllovenia humb nga Kosova dhe Zvicra. Kundër helvetikëve, sllovenët luajnë më 13 tetor.

“Futbolli do të luhet edhe pas këtyre kualifikimeve. Sllovenia është një emër, është një kundërshtar për të cilin rivalët kanë respekt”.

Ai pret shkëlqim nga sulmuesi kryesor i Sllovenisë, Benjamin Sheshko. Sulmuesi Sheshko luan për gjigantin anglez, Manchester United. Sheshko së fundi shënoi dy gola rresht për Unitedin në Premier League.

Por slloveni Kek shqetësohet për lojtarët që nuk po kanë shumë hapësirë në klubet e tyre përkatëse.

Para udhëtimit për në Kosovë ka folur edhe Adam Çerin. Ai ka pranuar se ndeshja kundër Kosovës është vendimtare për Slloveninë.

“Tani kemi një ndeshje vendimtare në këto kualifikuese. E dimë që nuk ka vend për gabime”, theksoi futbollisti i Panathinaikosit grek.

Sllovenia i ka fituar dy përballjet kundër Kosovës. Pesë vjet më parë në Ligën e Kombeve, Sllovenia fitoi me rezultat 1:0 dhe 2:1.

“Duhet ta respektojmë ekipin e Kosovës, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të vetëdijshëm për cilësitë tona. E dimë që jemi të mirë. Kështu do ta pozicionojmë veten në fushë. Nëse duam të shkojmë në Kupën e Botës, duhet të kthehemi nga Prishtina me tre pikë. Vetëm tre pikët vlejnë për ne”, ka theksuar Çerin.

Pas dy ndeshjeve, Sllovenia është e fundit me një pikë në Grupin B, në të cilin Zvicra kryeson me gjashtë pikë, Kosova ka tre, dhe Suedia është po ashtu me një pikë.