Futboll

Selektori i Sllovenisë respekton Kosovën, kërkon ndihmën e tifozëve

Matjazh Kek

Përzgjedhësi i Sllovenisë, Matjazh Kek, e respekton Kosovën për cilësinë që ka në grupin e futbollistëve, por megjithatë synon fitore me ndihmën e tifozëve për të mbetur në garë për vendin e dytë në grup.

Sllovenia e Kosova përballen të shtunën nga ora 20:45 në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë , në ndeshjen e parafundit të Grupit B të kualifikimeve për Botërorin 2026.

Gara në grupin e vështirë ku janë edhe Zvicra dhe Suedia mund të vendoset të shtunën. Nëse Kosova merr pikë ndaj sllovenëve e siguron vendin e dytë, ndërsa mund të luajë edhe “finale” për vend të parë në Prishtinë me Zvicrën, nëse Suedia fiton ndaj helvetikëve.

Zvicra është e para me 10 pikë, tri më shumë se Kosova e vendit të dytë. Sllovenia me tri pikë është e treta, kurse Suedia e ka një pikë në vendin e fundit.

Matjazh Kek e ka vlerësuar ndeshjen me Kosovën si shumë të vështirë.

“Kjo ndeshje ka rol të madh pasi është fundi i kualifikimeve. Duhet të jemi të vetëdijshëm që në stadiumin e stërmbushur, të kemi përgjegjësi. E respektojmë shumë kualitetin që ka Kosova, por ne mendojmë për gjërat tona pozitive. Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që i kemi. Uroj të kemi ndihmën e tifozëve. Këto janë ndeshje ku kërkohet karakter në fushë. Jam shumë i sigurt se do të jemi të mirë nesër”, ka deklaruar Kek të premten në konferencën për shtyp.

Selektori slloven është i lumtur me përgatitjet e kësaj jave. Sllovenia do të jetë pa sulmuesin kryesor Benjamin Sheshko, që aktivizohet te Manchester Unitedi. Sheshko është i lënduar. 

Nuk do të luajë shkaku i kartonëve as Adam Gnezda Çerin, mesfushori i Panathinaikosit.

“Kam qenë i lumtur këtë javë pasi kemi pasur stërvitje të mirë dhe regjenerim të lojtarëve që kishin nevojë. Nuk kemi telashe të mëdha me lëndime dhe do ta kompensojmë mungesën e Sheshkos dhe të suspenduarit Çerin. Në kualifikime gjithmonë ka lëndime dhe kartonë, por për këtë kemi futbollistë të ftuar dhe do të mundohemi të bëjmë rotacione”, ka theksuar përzgjedhësi slloven.

Ajo që e brengos Kekun është mosshënimi i golave. Sllovenia në katër ndeshje ka realizuar vetëm dy herë, ndërsa ka pranuar pesë gola.

“Po shënojmë pak gola në krahasim me shanset që i krijojmë”, ka theksuar Kek, ndërsa nënvizoi se dinë mjaftueshëm për Kosovën që “është shumë e mirë në pasime” dhe se e ka planin për t’iu kundërvënë.

“Plani A, B dhe C janë për mediume. Për mua momenti më i rëndësishëm është që të reagosh mirë kur e ke dhe kur nuk e ke topin. Nëse e di se çfarë duhet të bësh në këto raste, ekipi është i suksesshëm. Por, gabimet ndodhin dhe është e rëndësishme se si reagon ndaj tyre”.

Përkrah përzgjedhësit Kek në konferencën për shtyp ka qenë kapiteni dhe portieri i Atletico Madridit, Jan Oblak.

Oblak ka pasur telashe me gju së fundmi, por ka thënë se do ta jap më të mirën në ballafaqimin ndaj Kosovës. Pavarësisht se pati përplasje në stërvitjen e së enjtes, pritet të luajë edhe Benjamin Verbiç.

“Dëshira është që të fitojmë dhe besoj se do t’ia arrijmë një gjëje të tillë”, ka thënë Oblak. “Për shkak të numrit të madh të ndeshjeve, të gjithë kanë telashe. Edhe unë njësoj. Ne mundohemi që të jemi të gatshëm plotësisht për ndeshje, por pavarësisht dhimbjeve do të mundohem të jap 100 për qind nga vetja të shtunën”.

Njësoj si përzgjedhësi Kek, edhe Oblak pret ndeshje të vështirë.

“E dimë se Kosova është shumë e mirë në kundërsulme. Por ne nuk kishim telashe prej fillimit në Prishtinë. Duhet të jemi të qetë dhe të vetëdijshëm se na nevojiten tri pikë. Por kjo nuk do të thotë se do të bëjmë presion nga fillimi. E dimë se kemi detyrë të vështirë para nesh, por përderisa ka mundësi, ne besojmë në to”, theksoi Oblak.

Sllovenia i nisi kualifikimet me barazim në shtëpi me Suedinë 2:2 dhe pësoi thellë në udhëtim te Zvicra, 3:0. Muajin e kaluar, Sllovenia barazoi pa gola në Prishtinë dhe pa gola u mbyll edhe ndeshja në shtëpi me Zvicrën.