Disfata që Kosova ia shkaktoi Sllovenisë në Lubjanë ka ndikuar që Federata sllovene e futbollit mos t’ia vazhdojë kontratën selektorit Matjazh Kek. Federata sllovene të hënën njoftoi që nuk ka vazhduar bashkëpunimin me Kekun. Dhe ky trajner i njohur slloven ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin kroat, Sportkse Novosti. Ndër të tjera ka folur edhe për Kosovën.
Ai uron që Kosova të jetë në Kampionatin Botëror që vitin e ardhshëm do të mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.
“Tani pasi Sllovenia nuk është në Botëror, nuk kam probleme se për kë të bëj tifo në Kampionatin Botëror. Çdo gjë është më e lehtë”, ka thënë Kek derisa ka folur për përfaqësuesen e Kroacisë.
“Dëshiroj që edhe Bosnjë-Hercegovina të kualifikohet, edhe Kosova le të kalojë”, ka shtuar Kek.
Gazetari kroat më pas i ka thënë se Kosova e eliminoi Slloveninë.
“Po, është e pakëndshme që na ka mposhtur 2:0 në Lubjanë. Para kësaj kemi luajtur në Prishtinë ndeshjen më të mirë dhe është dashur të fitojmë”.
Ndeshja e tetorit në Prishtinë kishte përfunduar pa gola. Sllovenët kishin më tepër raste.
Kosova përfundoi e dyta në grup dhe në mars paraqitet në plejof për kualifikim në Botëror. Sllovenia u rendit e treta në grup.
Matjazh Kek ka vlerësuar Kosovën.
“Më ka treguar se në cilën mënyrë mund të funksionojnë vendet e vogla, me bazë më të vogël të lojtarëve por me kualitet shumë të mirë. Ka fituar shumë lojtarë që luajnë në Gjermani, Spanjë. Kur i ke 7-8 të tillë, formon ekip shumë të mirë. Për mua ishte dëshpëruese, por në anën tjetër e pranoj që te Kosova ishin më të mirë”, ka theksuar Kek.
Ai ka pranuar se synimet e Sllovenisë në kualifikimet e rregullta për Botëror ishin dukshëm më të mëdha.
“Besoj që ekipi është përzgjedhur mirë, që është gati për rezultat të mirë. A është reale që Sllovenia çdo dy vjet të jetë në ngjarje të madhe, kjo mund të diskutohet. Natyrisht që dëshira ime ishte më e madhe se vendi i tretë në grupin e papërshtatshëm. Pakënaqësia me rezultatin më shtyri që mos të nënshkruaj kontratën e re. Takimi për këtë çështje me drejtuesit e federatës ishte shumë i shkurtër. Tani jam tifozi më i madh i Sllovenisë dhe i dëshiroj çdo të mirë personit që do të vijë në atë vend delikat”, ka thënë Matjazh Kek.
Ai ka drejtuar Slloveninë nga viti 2015. Ishte selektor edhe nga viti 2007 deri në vitin 2011. Në Kroaci është shumë i popullarizuar për punën që e ka bërë në krye të Rijekës, nga viti 2013 deri në vitin 2018.
Kosova në gjysmëfinale të plejofit luan me Sllovakinë në Bratislavë. Nëse e fiton atë ndeshje, e pret Turqinë apo Rumaninë. Nëse e fiton edhe ndeshjen e dytë, kualifikohet në Botëror.