Shtabi teknik i Sllovakisë, ashtu si edhe ai i Kosovës, tashmë ka nisur përgatitjet për ndeshjen e 26 marsit në Bratislavë.
Sllovakia e Kosova përballen në Stadiumin Nacional në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026 në futboll. Bazuar në ranglistë, por edhe në përvojën në nivelin ndërkombëtar, Sllovakia llogaritet favorite.
Megjithatë, sllovakët po e marrin shumë seriozisht ndeshjen me Kosovën. Për këtë së fundi foli Pavol Farkash. Ai është personi më i afërt në Sllovaki i selektorit italian të kësaj përfaqësueseje, Francesco Calzona.
Farkash është trajner në shtabin teknik të Calzonas, ndërsa kryesisht e kryen punën e përkthyesit. Dhe si përkthyes është përgjegjës që idetë e Calzonas t’i përcjellë te lojtarët sllovakë.
“Përgatitjet janë në zhvillim e sipër. Shumicën e gjërave të rëndësishme i kemi gati. E dimë se kundër kujt do të luajmë. Ndonëse nuk duket përfaqësuesja më e fortë në letër, është kundërshtare shumë e pakëndshme”, ka thënë Farkash.
Ai ka shtuar se te Sllovakia janë të vetëdijshëm që nuk i pret punë e lehtë me Kosovën.
“Ajo ka trajner gjerman dhe ekip të organizuar mirë, me shumë individë të shkëlqyer që luajnë në top-liga në të gjithë Evropën. Asgjë e lehtë nuk na pret. Por besoj se me tifozët tanë do t’ia dalim dhe do të avancojmë në finale”, ka shtuar Farkash.
Fituesja e ndeshjes mes Sllovakisë dhe Kosovës në finale të plejofit takohet me Turqinë apo Rumaninë. Finalja e plejofit luhet më 31 mars në Sllovaki apo Kosovë. Dhe përfaqësuesja që fiton plejofin, verën e ardhshme do të luajë në Botërorin në SHBA, Kanada e Meksikë.
Kosova e Sllovakia nuk janë përballur deri më tani. Ndeshja e 26 marsit vlerësohet bindshëm më e rëndësishmja e Kosovës deri më tani.
“Dardanët” siguruan plejofin duke u renditur në vendin e dytë në grupin kualifikues, ku ishin edhe Zvicra, Sllovenia dhe Suedia.
Në plejof është edhe Shqipëria, po ashtu për herë të parë. Kuqezinjtë më 26 mars luajnë në Varshavë ndaj Polonisë.