Futboll

Matjazh Kek nuk e përjashton konsultimin me ish-selektorin e Kosovës

Matjazh Kek

(Sportal) – Përfaqësuesja e Sllovenisë në futboll është grumbulluar të hënën në Brdo pri Kranju. Të përzgjedhurit e Matjazh Kekut janë të vetëdijshëm se nuk mund të gabojnë në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Kosovës dhe Zvicrës, nëse duan të mbeten në garë për kualifikim.

Sllovenia do ta vizitojë Kosovën të premten, ku skuadra e mbushur me yje e Suedisë pësoi disfatë muajin e kaluar. Skandinavët humbën 2:0 dhe Kosova tregoi se çfarë është e aftë të bëjë. Edhe pse hynë në kualifikime si ekipi më i dobët i grupit në letër, ata janë në vendin e dytë pas dy ndeshjeve.

Euforia në Kosovë arriti kulmin pas fitores ndaj Suedisë, pasi biletat për ndeshjen kundër Sllovenisë u shitën shpejt.

Jan Oblak, Benjamin Sheshko dhe lojtarët e tjerë të Sllovenisë do të paraqiten të premten në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Por a do të konsultohet trajneri Matjazh Kek me bashkëkombësin Primozh Gliha, i cili njeh skuadrën e shkëlqyer të Kosovës, pasi e udhëhoqi atë për pjesën më të madhe të ciklit kualifikues për Euro 2024? “Unë besoj se ai njeh mirë mjedisin. Në kohën e tij ishte specifik, por tani me ardhjen e Franco Fodës është pak më ndryshe. Stafi e po ashtu ekipi ka ndryshuar pak. Nuk kam folur ende me të, që nuk do të thotë se nuk do të flas. Çdo informacion mund të jetë i dobishëm, megjithëse jemi të vetëdijshëm për atë që na pret në Kosovë”, ka thënë trajneri slloven në konferencë për media. “Biletat janë shitur plotësisht, por edhe nëse do të luhej ndeshja në Slloveni do të shiteshin të gjitha biletat. Më pëlqejnë shumë ndeshjet e tilla dhe mezi pres të nis ndeshje. Premton të jetë një ndeshje që tregon nëse meriton diçka apo jo. Kur flasim për cilësinë individuale të Kosovës, kjo është diçka për t’u analizuar. Sepse Kosova nuk i mundi rastësisht suedezët”.

Kush luan për Kosovën?

Trajneri gjerman Franco Foda, i cili ka drejtuar edhe Sturm Grazin, Zurichun, Kaiserslauternin dhe ekipin përfaqësues të Austrisë, ka ftuar 27 futbollistë. Kapiteni Amir Rrahmani, që luan për Napolin, mungon shkaku lëndimit, por Kosovës nuk do t’i mungojnë lojtarë me përvojë, pasi për Kosovën luajnë edhe Vedat Muriqi, Valon Berisha, Milot Rashica, Fidan Aliti dhe Mërgim Vojvoda.

Ylli më i madh i ekipit është lojtari i Juventusit, Edon Zhegrova, dhe lista përfshin futbollistë të shumtë që po e dëshmojnë veten në klube nga ligat më të forta në Evropë, përfshirë tre lojtarët e Hoffenheimit gjerman.

Prejse Franco Foda mori drejtimin e ekipit përfaqësues të Kosovës, ka pasur rezultate pozitive. Në 15 ndeshje ai ka dhjetë fitore dhe vetëm pesë humbje. Kështu Kosova nuk ka barazuar asnjëherë nën drejtimin e gjermanit 59-vjeçar.

Foda gjithashtu ka publikuar një listë prej nëntë lojtarësh rezervë që mund të zëvendësonin nëse ndonjë nga “lojtarët e klasit të parë” do të tërhiqej për ndonjë arsye. Lista përfshin Faton Malokun, Kreshnik Krasniqin, Behar Nezirin, Ismet Lushaku, Bledian Krasniqin, Andi Hotin, Rilind Nivokazin, Bersant Celinën dhe Donat Rudhanin.