Përzgjedhësi i Përfaqësueses U-17 të Kosovës në futboll (vajzat), Kushtrim Munishi, e ka pasur vetëm një dëshirë para tërheqjes së shortit për raundin e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.
Munishi nuk e kishte dashur vetëm një kundërshtar në grup, prej gjithë kundërshtarëve të mundshëm – Gjermaninë. Mirëpo, dëshira e përzgjedhësit nuk u plotësua. Në shortin e tërhequr të enjten në Nyon të Zvicrës, u përcaktua që Gjermania do të jetë kundërshtare e Kosovës në Grupin A5, pjesë e të cilit janë edhe Austria e Sllovenia.
Ndeshjet e këtij grupi ende nuk është caktuar se në cilin vend do të luhen, ndërsa Kampionati Evropian do të mbahet nga 3 deri më 15 maj të vitit të ardhshëm në Bosnjë-Hercegovinë. Fituesit e shtatë grupeve të Ligës A do të kualifikohen në Evropian, duke iu bashkuar Përfaqësueses U-17 të Bosnjë-Hercegovinës. Ndërkohë, skuadrat që përfundojnë në pozitat e katërta në grupe do të bien në Ligën B për edicionin e ardhshëm kualifikues.
Kosova në muajin shtator e fitoi grupin e saj në Ligën B për t’u promovuar në Ligën A, kurse ndeshjet e Grupit A5 do t’i luajë më 23, 26 dhe 29 mars të vitit të ardhshëm.
Munishi pranoi se grupi është i vështirë, por vetëm për shkak të Gjermanisë, kurse sa u përket Austrisë e Sllovenisë, ai insistoi se janë kundërshtarë të përballueshëm për Kosovën. Sipas tij, Gjermania mbetet favorite për ta fituar grupin, por shtoi se gjithçka është e mundur. Kosova nuk do të paraqitet në fushë me “flamur të bardhë”.
“Nuk është aspak grup i lehtë. Në fakt, është grup i vështirë, ku Gjermania është favorite. Vetëm Gjermaninë prej të gjithë kundërshtarëve të mundshëm nuk e kam dashur në grup para shortit. Ka një ekip të mirë dhe nuk e doja në grup, por shorti ka bërë që të përballemi me të dhe besoj se do të jemi të gatshëm. Edhe ndaj Gjermanisë do të mundohemi të bëjmë më të mirën për shkak se gjithçka nis prej fillimit dhe të gjitha ekipet nisin me zero pikë”, është shprehur Munishi. “Sa u përket Austrisë dhe Sllovenisë, është e vërtetë që janë nivel më i lartë se ne, por nuk u frikësohem aspak dhe besoj në rezultate të mira”.
Munishi shtoi se ka kohë të mjaftueshme për ta përgatitur ekipin për këto ndeshje, që i vlerësoi shumë të rëndësishme. Ai paralajmëroi se do të mbajë stërvitje më shpesh me vajzat dhe do të organizojë më shumë kampe stërvitore, që ato të jenë plotësisht të gatshme të përballen me skuadrat e Ligës A. Kosova deri në mars do të synojë të përforcohet me disa futbolliste që bëjnë karrierë jashtë kufijve për të pasur një paraqitje të mirë dhe të nivelit të lartë.
“Tash do të fillojmë me përgatitje më shumë se që duhet dhe do të bëjmë stërvitje e kampe më shpesh që të jemi sa më të gatshëm për këto ndeshje që janë të rëndësishme pas promovimit në Ligën A. Besoj se do të jemi gati t’i dëshmojmë cilësinë dhe rezultatet që i patëm në Ligën B”, ka thënë Munishi. “Nuk do ta kemi frikën të përballemi me ekipet e grupit tonë, pasi deri atëherë po presim edhe të përforcohemi pak me disa futbolliste për ta rritur edhe më shumë nivelin e lojës tonë”.
Kosova U-17 tani bën gara në Ligën A, në të cilën u promovua në vjeshtë pas suksesit që e arriti në Ligën B apo raundin e parë të këtyre kualifikimeve. Në fund të muajit shtator, Kosova doli e para në Grupin B1, ndeshjet e të cilit i luajti në Turqi. Në tri ndeshje të luajtura, Kosova pati dy fitore dhe një barazim duke tubuar shtatë pikë, sa i pati edhe Bjellorusia që doli e dyta për shkak të goldallimit më të dobët. Në duelin e parë të këtij grupi Kosova e shkatërroi Gjeorgjinë 13:0, përpara se të luante 1:1 me Bjellorusinë. Ndërsa, në ndeshjen e fundit triumfoi 4:2 ndaj Luksemburgut.
Pas ndeshjeve në Ligën A me ekipin U-17, përzgjedhësi Munishi do ta udhëheqë ekipin U-19 të Kosovës që në muajin prill do të luajë në grupin e katërt në kuadër të edicionit 2022/23 kualifikues për Kampionatin Evropian. Kosova do të ketë punë me Skocinë, Estoninë dhe Kazakistanit pas shortit të tërhequr po ashtu të enjten. Duelet e këtij grupi do të luhen në Skoci, kurse gjashtë skuadrat fituese të grupeve dhe skuadrat e vendeve të dyta me bilancin më të mirë në duelet ndaj skuadrave të para dhe të treta do të promovohen në Ligën A.
“Shorti për ekipin U-19 është shumë i mirë dhe besoj se do ta fitojmë grupin për t’u promovuar në Ligën A, sepse kemi cilësi ta bëjmë këtë”, ka insistuar Munishi.