Futbollistet e përfaqësueses U17 të Kosovës i pret një ndeshje e vështirë të mërkurën paradite. Në stadiumin “Fadil Vokrri” ato do të luajnë me Gjermaninë, nga ora 11:00.
Është kjo ndeshja e parë e grupit të pestë të Ligës A në fazën e dytë kualifikuese për Evropianin e këtij viti. Në fazën e parë kualifikuese, Kosova U17 ishte në Ligën B. E fitoi grupin ku ishin edhe Bjellorusia, Luksemburgu dhe Gjeorgjia. Kështu Kosova u promovua në Ligën A për raundin e dytë kualifikues dhe do të luajë me Gjermaninë, Austrinë e Slloveninë.
Ndeshja me Austrinë është më 26 mars në “Fadil Vokrri”, ndërsa ajo me Slloveninë më 29 mars në “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Fituesi i grupit avancon në Evropianin që mbahet në Bosnjë-Hercegovinë.
Për futbollistet e reja të Kosovës sukses vlerësohet promovimi në Ligën A nga Liga B. Por futbollistët shpresojnë në paraqitje të mira edhe me tri përfaqësueset e mëdha evropiane.
Gjermania e ka fituar titullin e Evropës në vitin 2019, ndërsa me shtatë tituj të kampionit është bindshëm përfaqësuesja më e suksesshme deri më tani në Evropianët U17. Kështu që futbollistet e reja të Kosovës i pret ndeshje shumë e vështirë.
Edhe
Kosova sërish me Austrinë, tani te futbollistet
"Kemi ushtruar mirë dhe jemi të gatshme për ndeshje. Tani na presin ndeshje të forta me përfaqësuese të forta evropiane, por shpresojmë të kemi rezultate pozitive", ka thënë Aurona Racaj, që në rundin e parë kishte shkëlqyer me shtatë gola të shënuar.
Është hera e parë që UEFA ia ka besuar FFK-së organizimin e një turneu të tillë. Tri ndeshje luhen në “Fadil Vokrrin” e stërngarkuar e tri të tjera në stadiumin e rinovuar në Podujevë.
“Për herë të parë nga arena ‘Zahir Pajaziti’ valon flamuri i UEFA-s dhe shteteve pjesëmarrëse në turneun kualifikues të vajzave U17, me organizatore Federatën e Futbollit të Kosovës”, ka njoftuar klubi Llapi.