Sport

Suksesi i Kosovës U17 rrit futbollin e vajzave në vend

Një fitore historike është shoqëruar me një sukses të madh. Falë edhe fitores 13:0 ndaj Gjeorgjisë, futbollistet e Kosovës U17 e kanë fituar grupin në raundin e parë kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.

Kosova ka garuar në Ligën B të raundit të parë kualifikues, pra në nivelin e dytë. Dhe për raundin e dytë kualifikues është promovuar në Ligën A. Kosova U17 ka debutuar në skenën evropiane dhe debutimi tashmë është i suksesshëm.

Në Ligën A, Kosova U17 do ta kërkojë kualifikimin në Evropian, që natyrisht është sfidë. Ndeshjet e fazës së dytë pritet të luhen në pranverë të vitit të ardhshëm. Por ky cikël tashmë është i suksesshëm. Kështu të paktën kanë vlerësuar përgjegjësit në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Futbollistet e reja të enjten në Bissen të Luksemburgut fituan me rezultatin 4:2 ndaj futbollisteve të reja luksemburgase. Falë fitores, Kosova u rendit e para në grup me 7 pikë, sa i ka edhe Bjellorusia. Por Kosova ka goldallim më të mirë dhe kështu fiton grupin dhe promovimin.

Kosova në ndeshjen e parë, të premten e kaluar, fitoi 13:0 ndaj Gjeorgjisë. Ishte kjo fitorja dukshëm më e thellë që e kanë shënuar ekipet përfaqësuese apo klubet e Kosovës në gara evropiane.

Të hënën Kosova luajti 1:1 me Bjellorusinë. Bjelloruset në ndeshjen e parë kishin fituar 2:0 ndaj Luksemburgut, ndërsa të enjten fituan “vetëm” 8 ndaj Gjeorgjisë. Kështu në bazë të goldallimit e humbën nga Kosova garën për vendin e parë në grup.

Suksesi shpresohet se do të rrisë numrin e vajzave që merren me futboll në vend. Ende pak vajza vendosin për karrierë në futboll. Ndonëse zhvillohet kampionati i Kosovës, futbolli i vajzave ende përballet me mungesë të masivitetit.

Kosova A ka shënuar disa rezultate të mira në ciklin e kaluar eliminator, ndërsa paraqitjet e saj po përmirësohen vazhdimisht. Dhe suksesi i të rejave pritet t’i japë shtytje të re futbollit të vajzave në Kosovë.

Aurora Racaj i shënoi tri gola të enjten, ndërsa një e shtoi Rreze Gashi.

“Jam shumë i lumtur për këtë sukses. Kjo është meritë e vajzave, të cilat shfaqën disiplinë dhe angazhim maksimal. Në të tri ndeshjet e këtij grupi kemi luajtur shumë mirë dhe i kemi dominuar kundërshtaret. Realisht kam besuar në këtë sukses, ngase kemi punuar në mënyrë intensive me vajzat në 2-3 muajt e fundit në Prishtinë dhe normalisht se kur punon edhe suksesi nuk mungon. Jam krenar me këto lojtare dhe i përgëzoj për paraqitjen e tyre mbresëlënëse. Ta kalosh një fazë të tillë kualifikuese qysh në debutim është ndjenjë e papërshkrueshme. Tani e meritojmë ta festojmë këtë sukses, por shumë shpejt do t’i rikthehemi punës për t’u përgatitur për fazën tjetër kualifikuese dhe pse jo ta synojmë kualifikimin historik në Evropian”, ka thënë selektori Kushtrim Munishi.

Krenar me suksesin e futbollisteve të reja është shprehur edhe i pari i FFK-së, Agim Ademi.

“Krenar dhe i lumtur për suksesin e Kombëtares U17, që qysh në debutimin e saj arriti ta kalonte fazën e parë kualifikuese dhe të promovohet në Ligën A të kualifikimeve për Evropianin 2022. Urime për vajzat dardane, për prindërit e tyre që i mbështesin dhe për klubet dhe stafin e trajnerëve që punojnë me përkushtim në ngritjen e tyre profesionale. Zhvillimi dhe masivizimi i futbollit të vajzave ka qenë dhe mbetet ndër prioritetet tona, derisa sukseset e tilla na ndihmojnë në rritjen e mëtejme”, ka shkruar Agim Ademi.