Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova U17 mposht Luksemburgun, fiton grupin dhe promovohet në Ligën A

Futbollistet e Kosovës U17 kanë përmbyllur të enjten një kampanjë shumë të suksesshme kualifikuese. Futbollistet e reja kanë fituar 4:2 ndaj Luksemburgut, në ndeshjen e luajtur në Bissen të Luksemburgut. Me këtë fitore, Kosova U17 e ka siguruar vendin e parë në grupin e parë të Ligës B të fazës së parë kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm.

Vendi i parë në grup i mundëson Kosovës që në fazën e dytë kualifikuese të garojë në Ligën A, ku sigurohet kualifikimi në Evropian. Kosova U17 ka mbledhur 7 pikë, sa edhe Bjellorusia e vendit të dytë. Por Kosova ka goldallim më të mirë dhe për këtë fiton grupin.

Bjellorusia mund të kualifikohet si përfaqësuesja e dytë më e mirë në gjashtë grupet e Ligës B.

Kosova në ndeshjen e parë fitoi 13:0 ndaj Gjeorgjisë. Më pas luajti 1:1 me Bjellorusinë. Tani fitoi 4:2 ndaj Luksemburgut. Ndërkohë Bjellorusia fillimisht fitoi 2:0 ndaj Luksemburgut. Me Gjeorgjinë, të enjten, fitoi 8:0.

Jo shpesh ekipet përfaqësuese të Kosovës kalojnë faza kualifikuese. Por këtë e ka arritur përfaqësuesja U17 e futbollisteve. Aurora Racaj ka shënuar tre gola në fitoren ndaj Luksemburgut. Një gol e shtoi Rreze Gashi.