Federata e Notit e Kosovës ka mohuar se e ka diskriminuar notaren Hana Beiqi. Në një letër që kryetari i Federatës së Notit të Kosovës, Agron Zeqiri, ia ka dërguar të premten Komitetit Olimpik të Kosovës, thuhet se janë përzgjedhur notarët më të mirë për Botëror. Federata e Notit e ka akuzuar KOK-un për “tendencë të ndërhyrjes direkte në vendimmarrjen e organeve të FNK-së”.
Botërori i sporteve në ujë ka nisur të premten në Doha të Katarit. Pas një ankese të klubit të Beiqit, Otrila, që u bë në KOK dhe MKRS, Komiteti Olimpik i kërkoi Federatës së Notit ta përfshijë Beiqin në ekipin për Botëror, duke vlerësuar se ajo është diskriminuar duke mos u përzgjedhur për kampionatin global.
Bordi Ekzekutiv i KOK-ut i kishte dhënë afat FNK-së deri të enjten në ora 14:00 të veprojë për kërkesën. Pasi kjo nuk kishte ndodhur, KOHA ka mësuar se KOK-u të enjten i është drejtuar Federatës Ndërkombëtare të Sporteve në Ujë me një letër.
FNK-ja deri të premten nuk është deklaruar për ankesën e klubit Otrila dhe për kërkesën e KOK-ut.
FNK-ja në letër ka përmendur Botërorin 2022, duke vlerësuar se notarët Martin Muja dhe Hana Beiqi ishin të favorizuar e jo të diskriminuar për atë ngjarje. Sipas FNK-së, “jashtëzakonisht të diskriminuar me vite ishin Mal Gashi dhe Eda Zeqiri, të cilët kanë qenë të ranguar me pikë më lart sesa dy sportistë që ishin përzgjedhur në atë kohë”.
Në Botërorin e vitit të kaluar, Kosovën e kanë përfaqësuar Mal Gashi dhe Eda Zeqiri, që është vajza e kryetarit aktual të Federatës. Sipas FNK-së, ata ishin përzgjedhur me meritë.
FNK-ja shkruan se klubi Otrila asnjëherë nuk ka bërë ankesë në federatë dhe kështu nuk u është përmbajtur rregulloreve.
“Nuk ekziston asnjë formë e diskriminimit ndaj sportistes në fjalë”, shkruan në letrën e FNK-së për Komitetin Olimpik të Kosovës.
Federata e Notit ka shkruar se KOK-u ka bërë precedent të rrezikshëm.
“Forma urdhërore të drejtuara nga KOK-u në shkresë, proceduralisht është tendencë për ndërhyrje direkte në vendimmarrjen e organeve të FNK-së dhe si e tillë më vete përbën precedent të rrezikshëm në autonominë, fushëveprimin dhe funksionimin në tërësi të organeve sportive. Për më tepër, forma kërcënuese e adresimit të KOK-ut rreth drejtimit në FINA dhe IOC përbën shkelje më vete, që është kundrejt rregullores së MKRS-së për sistemin e licencimit”, shkruan në letër.
Për Botëror janë përzgjedhur notarët Gashi e Zeqiri, ndërsa në bazë të rregulloreve në fuqi, Beiqi me mbetjen jashtë Botërorit nuk mund të konkurrojë për ftesë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.