Sport

Letra e radhës: KOK-u insiston se Federata e Notit ka diskriminuar Hana Beiqin

Ka vazhduar shkëmbimi i letrave mes Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Notit të Kosovës lidhur me notaren Hana Beiqi, përkatësisht pretendimet se ajo është diskriminuar nga FNK-ja duke mos u përfshirë në ekipin e Kosovës për Kampionatin Botëror, që tashmë ka filluar në Doha të Katarit.

Ankesën e bëri fillimisht klubi i Hanës, Otrila, që iu drejtua Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me pretendimin se ajo është diskriminuar nga federatat. KOK-u doli me qëndrim se Beiqi është diskriminuar dhe kërkoi nga federata që 15-vjeçarja të përfshihet në ekip për Botëror. Kjo nuk ka ndodhur dhe Komiteti Olimpik iu drejtua me një letër edhe Federatës Ndërkombëtare të Sporteve të Ujit, World Aquatics.

Të premten Federata e Notit e Kosovës iu përgjigj KOK-ut duke mohuar se Hana Beiqi është diskriminuar dhe duke pretenduar se janë përzgjedhur dy notarët më të mirë për Botëror. Për më tepër, FNK-ja akuzoi KOK-un për “tendencë të ndërhyrjes direkte në vendimmarrjen e organeve të FNK-së”.

Tjetër letër ka nisur Komiteti Olimpik për FNK-në të premten mbrëma.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka insistuar se rasti i Hana Beiqit ka të bëjë me padrejtësi dhe diskriminim. KOK-u ka shkruar se edhe në të kaluarën ka mbrojtur sportistët dhe pikërisht notaren Eda Zeqiri lidhur me pjesëmarrjen në “Tokio 2020”. Eda është vajza e kryetarit të FNK-së dhe notarja që e përfaqëson Kosovën në Botëror.

“Kur Eda nuk ishte e nominuar për bursat olimpike ‘Paris 2024’ nga FNK, ishte KOK-u që konstatoi diskriminim nga federata, duke e përfshirë në listën e bursave olimpike”, shkruan në letër.

KOK-u vlerëson se FNK-ja nuk e ka dërguar Beiqin në Botëror me qëllim për t’ia mohuar asaj të drejtën e shfrytëzimit të paraqitjes me ftesë në Lojëra Olimpike. Për ftesë olimpike, pjesëmarrja në Botëror është kusht.

KOK-u ka shkruar se nuk është kundër pjesëmarrjes së Eda Zeqirit në Botëror, por pro pjesëmarrjes edhe të Hana Beiqit, në mënyrë që ajo të mos eliminohet nga federata lidhur me Lojërat Olimpike.

“Hana ka më së shumti pikë të FINA-s në disiplinat olimpike. Ne po flasim për mundësitë që kanë Hana dhe Eda për t’u përfaqësuar në Paris 2024. Pikërisht ju e keni propozuar Edën në listën e gjerë (duke eliminuar sërish Hanën nga kjo listë). Madje e keni nominuar edhe në dy disiplinat ku Hana qëndron më mirë me pikë. Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me norma ligjore dhe juridike, por edhe me norma etike, të cilave KOK-u do t’u qëndrojë gjithmonë pranë sa i përket mbrojtjes së sportistëve”, shkruan në letrën që është firmosur nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe i është drejtuar Agron Zeqirit, kryetar i Federatës së Notit të Kosovës.