Sport

FNK-ja konfirmon Zeqirin e Gashin për Botëror, KOK-u përsërit se Hana Beiqi po diskriminohet

Federata e Notit e Kosovës u ka dëshiruar të premten sukses Eda Zeqirit dhe Mal Gashit në Kampionatin Botëror të Sporteve në Ujë, që po mbahet në Doha të Katarit. Garat e notit nisin të dielën, ndërsa Zeqiri e Gashi janë dy përfaqësuesit e vetëm të Kosovës.

Por Komiteti Olimpik i Kosovës ka përsëritur edhe të premten se në Botëror duhet të jetë edhe Hana Beiqi dhe se ajo po diskriminohet nga Federata e Notit e Kosovës duke mos u dërguar në ngjarjen globale.

Ka dhjetë ditë që KOK-u mban një qëndrim të tillë, ndërsa Federata e Notit deklaron se ka dërguar më të mirët. FNK-ja ka mohuar se ka diskriminuar notaren 15-vjeçare Hana Beiqi.

Ishte klubi i Beiqit, Otrila, fillimisht paraqiti ankesë në KOK dhe në MKRS për diskriminim të notares nga FNK-ja. Derisa MKRS-ja vazhdon të heshtë, nga KOK-u e vlerësuan të drejtë ankesën dhe konsideruan se Federata po e diskriminon notaren e talentuar.

Të enjten e të premten ka pasur tjetër shkëmbim letrash mes FNK-së dhe KOK-ut. Ishte FNK-ja që kërkoi sqarim dhe deklarim nga Bordi Ekzekutiv i KOK-ut për letrën që ky organ kishte dërguar në “World Aquatics” lidhur me rastin e Beiqit.

“KOK-u bën vetëgjyqësi, arbitrarisht bie vendim për diskriminim nga ana e FNK-së dhe procedon në institucionet ndërkombëtare, ku i shërben si provë një procesi të filluar më 29 dhjetor 2023. Dokumenti i KOK-ut është falsifikim dhe trukim i rezultateve sportive të garuesve të përfaqësueses së Kosovës në not. KOK-u përmes një verdikti arbitrar, mbi bazën e të pavërtetave, me qëllim dhe motive të ulëta bën ndërhyrje direkte në një proces në CAS kundër FNK-së, duke dërguar dokumentin si provë se FNK-ja bën diskriminim”, shkruan në letrën që FNK-ja e ka dërguar në KOK të enjten.

Të premten Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Llozanë vlerësoi se nuk ka juridiksion për të vendosur për rastin e notarit Adell Saboviq ndaj FNK-së. Saboviq u obligua të paguajë 2.000 franga në FNK për shpenzimet e Federatës. Dhe FNK-ja e deklaroi këtë fitore të madhe për të dhe sportin kosovar në përgjithësi. Saboviq, që jeton në SHBA, por që ka prejardhje nga Kosova, ka kërkuar të garojë për Kosovën në Botëror dhe ka dërguar rastin e tij në CAS pasi kjo iu mohua. Mbrojtësit e Saboviqit e kanë futur në dosje edhe rastin e Beiqit, përkatësisht letrën e KOK-ut dërguar në “World Aquatics”.

Për rastin e Saboviqit KOK-u nuk ishte njoftuar fare. Por është përfshirë shumë në rastin e Hana Beiqit, që sipas KOK-ut, po diskriminohet nga Federata.

“Shqetësimi i KOK-ut nuk është pse është dërguar Eda Zeqiri (bursiste olimpike e KOK-ut) në Botëror, por kërkesa jonë vazhdimisht ka qenë që edhe Hana Beiqi të përfshihet në listë, për shkak se ajo ka më së shumti pikë të ‘World Aquatics’ në disiplinat olimpike dhe të mos diskriminohet për t’u eliminuar para kohe nga mundësia e ftesës së universalitetit për ‘LO Paris 2024’. Numri i pjesëmarrësve nuk ka qenë i limituar për Botëror, prandaj FNK-ja ka mundur të përfshinte edhe sportistë të tjerë, pavarësisht që procedura e regjistrimit ka nisur në nëntor 2023”, shkruan në letrën që Komiteti Olimpik i Kosovës ia ka dërguar të premten Federatës së Notit të Kosovës.

Për ftesë olimpike notari duhet të paraqitet në njërin prej dy botëroreve të fundit. Beiqi nuk është përfshirë për asnjërin botëror. Sipas KOK-ut, kjo i është mohuar asaj nga Federata.

“Roli i KOK-ut është të luftojë çdo lloj diskriminimi ndaj sportistëve, siç kemi konstatuar se është bërë diskriminim me rastin e Hana Beiqit”, shkruan në letrën e firmosur nga kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi.

Shqipëria në Botëror po përfaqësohet me katër notarë. Ndërkohë Kosova ka dërguar vetëm dy, ndonëse sipas KOK-ut numri i pjesëmarrësve nuk ishte i kufizuar.

Eda Zeqiri është vajza e kryetarit të FNK-së, Agron Zeqiri. Ajo ishte me ftesë në “Tokio 2021”, ndërsa po me ftesë pritet të jetë edhe në “Parisi 2024”. Normat olimpike ende janë shumë larg notarëve kosovarë.