Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

KOK-u me kërkesë urgjente për Federatën e Notit: Hana Beqiri të dërgohet në Botëror

Kampionati Botëror i Sporteve në Ujë fillon të premten në Doha të Katarit. Dhe një ditë para se të fillojë Botërori, Komiteti Olimpik i Kosovës i është drejtuar me kërkesë urgjente Federatës së Notit të Kosovës.

KOK-u të enjten kërkoi nga FNK-ja që ta përfshijë notaren Hana Beiqi në ekipin që do të marrë pjesë në Botërorin në Doha. Kjo ka pak gjasë të ndodhë, edhe për shkak të kohës së limituar. FNK-ja tashmë ka caktuar dy notarë të tjerë për pjesëmarrje në Botëror. KOK-u në letrën që ia ka dërguar FNK-së ka paralajmëruar që do t’i drejtohet Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatës Botërore të Sporteve të Ujit (World Aquatics), nëse nuk ka reagim të shpejtë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në letrën, që e ka siguruar edhe KOHA, shkruan se kërkesa është urgjente dhe se Bordi Ekzekutiv i KOK-ut pret reagim deri të enjten në orën 14:00. Në të kundërtën, KOK-u do të reagojë në asociacionet ndërkombëtare.

Kërkesa e protokoluar i është dërguar Agron Zeqirit, kryetarit të Federatës së Notit të Kosovës, ndërsa me kërkesë është njoftuar edhe klubi i Hana Beiqit, Otrila.

Ky klub ditë më parë bëri ankesë në KOK dhe në Ministri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit për diskriminim të Hana Beiqit nga Federata e Notit, duke mos e përfshirë në ekipin për Botëror. Pa pjesëmarrje në Botëror, 15-vjeçarja e ka të pamundur të konkurojë për ta përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Pjesëmarrja në Botëror është kusht, sipas njoftimit të KOK-ut.

“Bazuar në potencialin e notares së re, Hana Beiqi, rezultatet e arritura në vazhdimësi gjatë garave ndërkombëtare, e posaçërisht pikët e fituara të FINA-s, ku momentalisht ka më së shumti pikë nga gjinia e njëjtë në disiplinat olimpike, KOK-u kërkon nga Federata e Notit e Kosovës që sa më parë ta përfshijë notaren Beiqi për përfaqësim në Kampionatin Botëror në Doha”, thuhet në kërkesën e firmosur nga Ismet Krasniqi, president i KOK-ut.

“Ju kujtojmë se roli i KOK-ut është mbrojtja e sportistëve nga padrejtësitë, diskriminimi dhe dukuritë negative në sport. Dhe ne nuk mund të heshtim në këtë rast, siç nuk kemi heshtur edhe në rastet e kaluara, kur janë diskriminuar sportistët olimpikë. Bordi Ekzekutiv i KOK-ut konsideron se pikërisht ky rast është dukuri e keqe për sportin e Kosovës dhe që urgjent duhet të ndalohet, pasi bëhet fjalë për një vajzë 15-vjeçare”, shkruan tutje në kërkesë.

Ndonëse nuk është nominuar nga Federata e Notit, Beiqi është bërë bursiste e KOK-ut, në bazë të vendimit të Bordit Ekzekutiv.

Sipas KOK-ut, Federata e Notit nuk ka përfshirë Beiqin as në listën e gjerë të notarëve që mund të marrin pjesë në Lojërat Olimpike në Paris. Kjo është konsideruar e papranueshme nga KOK-u.

“Urojmë që kjo kërkesë të merret parasysh sot, për shkak të kohës së shkurtër për pjesëmarrje në Botëror, në mënyrë që KOK-u të mos marrë hapat e mëtejshëm për t’iu drejtuar FINA-s dhe IOC-së”, shkruan në letrën e KOK-ut për Federatën e Notit të Kosovës.

KOHA i është drejtuar Federatës së Notit për një qëndrim pas ankesës së klubit Otrila. Por nga FNK-ja kanë refuzuar që të japin përgjigje me shkrim.

Akuza e dyshime për diskriminim të sportistëve të caktuar ka thuajse vazhdimisht në sportin kosovar.