Sport

Fillimi jo i mirë “motivon” Dritën në prag të stinorit pranveror të Superligës

Prishtinë, 11 shkurt – Fillimi i vitit nuk ka qenë fare i mirë për kampionen në fuqi të Kosovës në futboll, Dritën e Gjilanit. Pesë humbje dhe vetëm një fitore është bilanci i Dritës këtë vit, duke llogaritur edhe ndeshjet miqësore.

Drita nuk kishte rezultate pozitive në fazën përgatitore në Antalia, ku pësoi tri humbje në miqësore dhe arriti vetëm një fitore. U mposht nga dy ekipe ruse, Nizhny Novgorod (2:0) dhe Chayka (3:2), si dhe nga ukrainasit e Vorlska Poltavës (5:0). Triumfin e vetëm gjilanasit e arritën kundër ekipit nga Ukraina, Minaj (1:0), me golin e Kastriot Rexhës.

Në Antalia, Drita e humbi edhe ndeshjen e Superkupës ndaj Prishtinës me rezultat 3:1.

Por kjo nuk ishte e tëra. Drita u eliminua edhe nga Kupa e Kosovës, në 1/8 e finales. Sërish ishte Prishtina e cila fitoi përballë gjilanasve në “Fadil Vokrri” me shifrat 1:0 pas 120 minutash lojë dhe u kualifikua në çerekfinale.

Tani ekipit gjilanas i ka mbetur vetëm mbrojtja e titullit të kampionit, të fituar vitin e kaluar dhe dalja në Evropë përmes kampionatit. Drita zë vendin e parë në Superligë pas pjesës vjeshtore.

Në një intervistë për KOHËN, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se me gjithë rezultatet negative, atmosfera në skuadër është e mirë. Sipas tij, askush nuk mund ta prishë atë që e kanë ndërtuar në dy vjetët e fundit.

Nuhiu beson në ringritjen e Dritës.

“Nuk kemi startuar mirë, por e kemi treguar edhe më parë se dimë të ringritemi. Këtë e besojmë fuqishëm, sepse kemi futbollistë me shumë personalitet. Atmosfera është shumë e mirë. Unë bashkë me këtë grup futbollistësh prej dy vjetësh jemi bashkë dhe nuk lejojmë që një apo dy humbje të destabilizojnë atë që kemi ndërtuar për këtë periudhë. Thjesht, në momentin kur humbim jemi më të bashkuar se kurrë, atë dhimbje që ndiejmë mundohemi ta kthejmë në motiv për ndeshjen e radhës”, tha Nuhiu, i cili beson se skuadra do të reagojë shpejt dhe tani përqendrimin do ta ketë vetëm në kampionat.

“Nuk mund ta quajmë pozitive eliminimin nga Kupa, por pa diskutim se tani përqendrimi do te jetë shumë i madh në kampionat. Pa diskutim që analizojmë çdo ndeshje, qoftë humbje apo fitore. Humbjet zakonisht i shohim si një pengesë në rrugëtimin tonë. Ne asnjë moment nuk ndalojmë aty, por kërkojmë çdonjëri të përmirësohemi për ndeshjet në vazhdim. Futbollistet i dinë vlerat dhe cilësitë e veta, ne e njohim karakterin e tyre dhe e dimë që do të vijë edhe reagimi”.

Trajneri nga Maqedonia e Veriut që e fitoi titullin me Dritën në vitin e kaluar mendon se ky kampionat do të jetë ndër më të mirët e futbollit kosovar. Ai shton se futbollistët e skuadrës së tij kanë karakter dhe personalitet.

“Mendoj se do të jetë kampionati më interesant i viteve të fundit. Vetë sistemi e bën garën ë vështirë, sepse çdo jave sjell nga një apo më shumë derbi. Me çdo kundërshtar takohesh katër herë dhe ke mundësinë të përmirësosh edhe gabimet që mund të bësh gjatë rrugës. Do të mundohemi atë që kemi marrë deri tash ta ruajmë me shpirtin luftarak të grupit, karakter dhe autoritet”, u shpreh Nuhiu.

Ai beson se mund t’ia dalin që të mbrojnë atë që e fituan në vitin 2020.

“Jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë maksimumin nga ndeshja në ndeshje. Diferencat janë të vogla, por në momentin që jemi te maksimumi ynë, mendoj se këta djem kanë shumë cilësi brenda vetes dhe do të japin më të mirën që të mbrojnë atë që e morën vitin e kaluar”, theksoi Nuhiu.

Përveç titullit të kampionit që e fitoi në sezonin e shkuar, Drita ia doli që të kualifikohet deri në rrethin e tretë të Ligës së Evropës. U eliminua nga Legia e Varshavës me rezultat 2:0, por arriti të bëhet ekipi i parë kosovar që kualifikohet deri në rrethin e tretë të garave evropiane. Arritja deri në këtë fazë e pasuroi Dritën me 1 milion e 130 mijë euro.

Skuadra nga Gjilani e ka mbyllur stinorin vjeshtor në pozitën e parë me 41 pikë, dy më shumë se Ballkani që zë vendin e dytë dhe nëntë më shumë se Prishtina që është e treta.

Ndeshjen e parë të stinorit pranveror kampionia do të luajë si vendase kundër Llapit. Ky duel do të luhet të shtunën nga ora 13:00.