Donjeta Sadiku e Shpejtim Bajoku janë shpresat e mëdha të Kosovës për medalje në Lojërat Evropiane që po mbahen në Krakow dhe Malopolska të Polonisë. Dhe të dy boksierët kanë nisur mbarë.
Të premten ishte dita e parë e garave në boks, ndërsa në ring janë ngjitur si Donjeta, ashtu edhe Shpejtimi. Në xhiron e parë të kategorisë deri 60 kilogramë, Donjeta Sadiku e mposhti britaniken Shona Whitwell. Prej saj kishte humbur vjet në Bullgari, por në Lojëra Evropiane, Donjeta dominoi. Fitoi me rezultatin 4:0.
Në rundin e dytë Donjeta do të përballet me boksieren nga Zvicra, Anna Julia Jenni.

“Fitorja në duelin e parë natyrisht që është shumë e rëndësishme. Donjeta ka më shumë cilësi se britanikja dhe këtë e dëshmoi në ring. Për meçin e dytë nuk presim të ketë telashe”, ka thënë Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës.
Donjetës i duhen edhe dy fitore për ta siguruar medaljen në Lojërat Evropiane.
Me arritjen në gjysmëfinale e siguron edhe normën për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Në rundin e parë të kategorisë deri 63,5 kilogramë, Shpejtim Bajoku e kishte përballë kampionin e Kroacisë, Matteo Komadina. Ndaj tij Bajoku fitoi me rezultatin 4:1.
“Ka shkuar çdo gjë sipas planit. Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si kam boksuar. Kemi pasur fazë të mirë përgatitore dhe jam në formën e duhur. Tani i kthehem meçit të dytë që e kam të dielën. E kam përballë një turk, që është i pesti në botë. Nuk jam përballur me të më herët. Por jam në formë të mirë dhe e pres me optimizëm meçin e dytë”, ka thënë Bajoku për KOHËN.
Turku 19-vjeçar, Bilge Kagan Kanli do të jetë përballë Bajokut. Edhe Bajokut i duhen edhe dy fitore për medalje në Lojërat Evropiane dhe rrjedhimisht për ta siguruar normën për “Parisi 2024”.
Dy boksierë kosovarë i zhvillojnë të shtunën duelet e para, Altin Shala në kategorinë deri në 80 kg dhe Taulant Jakupi në kategorinë deri në 92 kg. Të dielën paraqitet Patriot Behrami në kategorinë deri në 71 kilogramë, ndërsa të hënën Bashkim Bajoku. Të martën garon Shpejtim Shabani, në kategorinë mbi 92 kg.