Sport

Pas eliminimit të Shpejtim Bajokut, shpresat barten te Donjeta Sadiku

Një prej adutëve më të mëdhenj të Kosovës për medalje në Lojërat Evropiane ka përfunduar të dielën garimin në Poloni.

Boksieri Shpejtim Bajoku ka zhvilluar luftë shumë të fortë me turkun Bilge Kagan Kanli. Në ekipin e Kosovës vlerësuan se Bajoku i fitoi dy raunde dhe humbi të tretin. Por gjyqtarët vlerësuan ndryshe. Me rezultat të ngushtë ia dhanë dy raunde turkut e vetëm një Bajokut. Kanli kaloi në rundin e tretë me fitoren 3:2.

Bajoku ka garuar në kategorinë deri 63.5 kg, ndërsa e kishte fituar duelin e parë. Ishe shpresë e madhe e Kosovës për medalje në Lojërat Evropiane që po mbahen në Poloni.

“Me boksin e shfaqur sot, por edhe të premten, Bajoku mbetet shpresa e madhe e boksit dhe e sportit të Kosovës. Urojmë që ai në turnetë kualifikues të fitojë normën për Parisi 2024”, ka shkruar Komiteti Olimpik i Kosovës.

Federata e Boksit e Kosovës ka vlerësuar se fitorja me rezultat 3:2 është dashur t’i takojë Bajokut.

Të dielën garoi edhe Patriot Behrami. Për të ishte meçi i parë. Ai humbi 5:0 nga francezi Makan-Vie Traore. Meçi i takoi kategorisë deri 71 kilogramë.

Të shtunën humbje pësuan Altin Shala në kategorinë deri 80 kilogramë dhe Taulant Jakupi në kategorinë deri 92 kg. Për të dy ishin meçet e para në Lojëra Evropiane.

Kështu shpresat për sukses, përkatësisht për medalje, barten te Donjeta Sadiku. Donjeta e ka kaluar pengesën e parë në kategorinë deri 60 kilogramë në boks. Të hënën pasdite përballë e ka boksieren nga Zvicra, Anna Julia Jenni.

“Nuk dyshoj në fitoren e Donjetës. Ka nivel dukshëm më të lartë se boksierja nga Zvicra. Me fitore ndaj saj do t’i duhet edhe një fitore për medalje”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.

Të hënën meçin e parë e zhvillon Bashkim Bajoku, vëllai i Shpejtimit. Në kategorinë deri 51 kg, ai përballet me boksierin e Francës, Billal Bennama. Shpejtim Shabani e nis garimin në Lojëra Evropiane të martën. Në kategorinë mbi 92 kilogramë do të përballet me lituanin Jonas Jazevicius.

Pritjet më të mëdha janë megjithatë, nga Donjeta. Dhe jo vetëm në boks.

Të dielën garoi edhe taekwondisti Arbër Bajra. Ai humbi luftën e parë në kategorinë deri 80 kg. Pësoi 2:0 nga greku Apostolos Telikostoglou. Greku dominoi në të dyja rundet, të cilat i fitoi 12:0 e 14:3. Bajra ishte i vetmi garues i Kosovës në taekwondo në Lojëra Evropiane.

Ndërkohë çiklisti Samir Hasani nuk ka garuar. Ai është lënduar gjatë përgatitjeve dhe me rekomandim të mjekëve nuk garoi fare, ka njoftuar KOK-u.

Tashmë kanë garuar shumica e garuesve të Kosovës në Lojërat Evropiane. Medalja nuk është fituar ende.