Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Paul McCartney bëhet miliarder, radhitet si muzikanti i tretë më i pasur në botë

Paul McCartney

Paul McCartney

Foto: Associated Press

Legjenda e muzikës Paul McCartney i është bashkuar klubit të miliarderëve. Sipas revistës Forbes, pasuria e tij vlerësohet të jetë rreth 1.4 miliardë dollarë, duke e renditur atë si muzikantin e tretë më të pasur në botë, pas këngëtares Taylor Swift, me 2 miliardë dollarë dhe  reperit Jay-Z pasuria e të cilit vlerësohet të jetë 2.8 miliardë dollarë.

Pjesa më e madhe e pasurisë së ish-anëtarit të grupit muzikor Beatles vjen nga kompania e tij botuese, “MPL Communications”, e themeluar në vitin 1969. Ajo administron katalogun e tij muzikor, si dhe të drejtat e këngëve të artistëve të tjerë. McCartney ka blerë gjithashtu katalogë muzikorë, përfshirë këngë të yllit Buddy Holly, si dhe të drejta për muzikën e shfaqjeve teatrale dhe këngë të njohura festive.

Një tjetër burim i rëndësishëm të ardhurash është trashëgimia e Beatles. Si njëri prej katër anëtarëve të grupit, McCartney përfiton 25 për qind të të ardhurave nga kompania “Apple Corps”, e cila gjeneron rreth 50 milionë dollarë në vit nga platformat muzikore, shitjet e albumeve dhe produktet promocionale.

Sipas Forbes, ai fiton gjithashtu rreth 10 milionë dollarë në vit nga të drejtat e autorësisë për këngët e Beatles. Këto të drejta i siguroi pas një beteje të gjatë ligjore.

Pasuria e tij është shtuar edhe nga turnetë botërore, pronat e paluajtshme në vende të ndryshme dhe koleksioni i artit, ku përfshihen vepra të artistëve të mirënjohur si Magritte dhe Picasso. Turneu i tij i fundit i madh, “Got Back”, përfshiu 79 koncerte gjatë viteve 2022-2025.

McCartney vazhdon të jetë aktiv në muzikë. Në muajin maj ai ka publikuar albumin e tij të 20-të solo, “The Boys of Dungeon Lane”. Ndërkohë, jeta e tij pas largimit nga Beatles dhe krijimi i grupit Wings rrëfehet në dokumentarin “Man on the Run”, me regji të Morgan Neville.