Donjeta Sadiku ka dëshmuar të hënën pse është shpresa e madhe e Kosovës për medalje në Lojërat Evropiane që po mbahen në Poloni. Në një të tetën e finales në kategorinë deri 60 kilogramë në boks, Donjeta e mposhti zviceranen Anna Julia Jenni. Ndaj saj fitoi me rezultatin 4:1.
Për 23-vjeçaren ishte fitorja e dytë në Poloni. Sadiku në raundin e parë e kishte mposhtur britaniken Shona Catherine Whitwell. Asaj i ishte revanshuar për një humbje të vitit të kaluar.
Donjeta tani e ka parameçin vendimtar. Të mërkurën bokson në çerekfinale, ndërsa me fitore siguron medaljen dhe po ashtu normën olimpike për “Parisi 2024”, që është tjetër synim i madh i saj. Përballë do ta ketë francezen me përvojë, Estelle Mossely.
Mossely deri më tani ka dy fitore me rezultat 5:0 në Lojëra Evropiane. Ka kaluar boksiere nga Finlanda dhe Holanda. Ajo synon po ashtu normën olimpike. Për më tepër synon medalje tjetër të artë olimpike. Të parën e ka fituar në “Rio 2016”. Atë vit fitoi edhe titullin e kampionit të botës. 30-vjeçarja ka edhe një medalje të bronztë botërore, medalje të argjendtë në Lojëra Evropiane dhe Kampionat Evropian dhe suksese të tjera.
Në Federatën e Boksit të Kosovës janë optimistë për suksesin e Donjetës. Ajo është thuajse shpresa e vetme e Kosovës për medalje në Lojëra Evropiane.
“Francezja është kampione olimpike nga viti 2016. Është bërë nënë ndërkohë dhe ka pauzuar një kohë. Më pas ka boksuar në profesionalizëm. Besojmë se do ta kalojmë francezen”, ka thënë Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës.
Francezja e mban titullin e botës në boksin profesionist, në versionin IBO, që nuk është prej katër të mëdhenjve. Në meçin e fundit profesionist, në fund të prillit, kishte barazuar. Kështu i erdhi fundi serisë së saj prej 11 fitoreve në profesionalizëm.
Në mars ishte paraqitur në Kampionatin Botëror të boksit amator në Indi, por ishte ndalur herët. Mossely është bërë nënë në vitin 2017 dhe aktualisht është në ritmin e meçeve. Në amatorizëm nuk kishte garuar që nga “Rio 2016” e deri në mars të këtij viti.
“Caku im është të fitoj medaljen e dytë të artë olimpike. Kam nisur të ushtroj në ritmin e boksit amator që nga shtatori i vitit të kaluar. Jam e entuziazmuar për Lojërat Olimpike që mbahen në vendin tim”, ka thënë francezja javë më parë.
Ende pa nisur Lojërat Evropiane medalja për Kosovën është pritur nga boksi. Por Shpejtim Bajoku u ndal në luftën e dytë, ndërsa tashmë kanë përfunduar garimin edhe katër boksierë të tjerë. Asnjëri prej tyre nuk shënoi fitore. Të hënën Bashkim Bajoku pësoi 5:0 nga boksieri i Francës, Billal Bennama, në kategorinë deri 51 kilogramë. Të martën bokson edhe Shpejtim Shabani. Në 1/8 e finales në kategorinë mbi 92 kilogramë, Shabani përballet me boksierin e Lituanisë, Jonas Jazevicius. Në sportet e tjera medaljet ishin të largëta për Kosovën deri më tani.