Donjeta Sadiku ka siguruar vend në podium në Kampionatin Evropian të boksit amator.
Boksierja 27-vjeçare e ka të garantuar të bronztën evropiane, pas fitores në çerekfinale kundër boksieres nga Holanda, Maud van der Toorn.
Gjysmëfinalen e Evropianit që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, Donjeta e siguroi pas fitores bindëse 5:0 ndaj holandezes, të mërkurën pasdite. Ajo garon në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Sadiku është e lumtur për fitoren e arritur, kurse e vlerësoi të fortë luftën ndaj holandezes.
“Ishte një ndeshje e rëndësishme për mu. Arrita të fitoj ndaj një kundërshtareje shumë të mirë. Ishte edhe më e rëndësishme sepse kishte të bënte për sigurimin e medaljes Olimpike... Ah, shpresoj... medaljes evropiane”, ka thënë Sadiku.
Në fakt, për Sadikun, medalja olimpike mbetet synimi i madh. Por ajo tashmë është në mesin e boksiereve më të mira në botë.
Në vitin 2022, Sadiku fitoi medalje të bronztë botërore e evropiane.
Në Sofje të Bullgarisë synon të artën evropiane.
Donjeta pranon se në raundin e parë bëri disa gabime. Por është e lumtur me rikthimin e saj në dy raundet vendimtare që ia siguruan paraqitjen në gjysmëfinale.
“Së bashku me trajneren time Marjola Sallauka kemi planifikuar kështu luftën dhe na ka rezultuar ashtu siç e kishim përgatitur. Mirëpo në raundin e parë nuk isha shumë e fokusuar dhe e humba. E ktheva rezultatin në 5:0 në dy raundet tjera”, ka theksuar Sadiku.
Në gjysmëfinale do të përballet me garuesen e Serbisë, rusen Kristina Kuluhova.
Garuesen e Serbisë e mposhti në finale të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.
Luftën ndaj garueses ruse të Serbisë e zhvillon të enjten.
“Unë jam gati për luftërat tjera, sepse synimi im ende nuk ka përfunduar. Synimi është medalja e artë, kështu që shihemi në luftën e radhës”, ka thënë Sadiku.
Sadiku ishte pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike në Tokio dhe së fundi në Paris në vitin 2024. Por në dy Olimpiadat nuk pati sukses. Megjithatë, ajo nuk ka hequr dorë nga synimi për të fituar medalje olimpike. Olimpiada e radhës është në vitin 2028 në Los Angeles.