Donjeta Sadikut i kishte mbetur vetëm rundi i tretë për të kompensuar dy rundet e humbura nga ish-kampionia olimpike në boks, francezja Estelle Mossely. Ajo ia doli ta fitonte rundin e tretë. Por Donjetës i duhej ta nokautonte kundërshtaren për të dalë nga ringu si triumfuese.
Boksierja 23-vjeçare nga ringu doli e dëshpëruar dhe me lot në sy, pa fituar medalje. Ajo e humbi meçin 4:1 me pikë të mërkurën nga ish-kampionia olimpike, francezja 30-vjeçare. Lojërat Evropiane që po mbahen në Krakow, Poloni, Sadiku e kategorisë 60 kilogramë i mbylli në vendin e pestë.
Medalja në këtë ngjarje, do t’ia siguronte asaj normën olimpike. Por, Sadiku ka edhe dy mundësi të tjera për ta fituar normën olimpike për Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Janë dy turne që organizohen vitin e ardhshëm nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
“Donjeta përfundoi e pesta në Lojërat Evropiane, ndërsa normën olimpike do ta kërkojë në turnetë e radhës të organizuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar”, ka shkruar Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).
Sadiku fitoi dy luftërat e para në Poloni. Në luftën e parë e kishte mposhtur britaniken Shona Catherine Whitwell, së cilës i ishte revanshuar për një humbje të vitit të kaluar në Bullgari. Në një të tetën e finales, Sadiku e mposhti zviceranen Anna Julia Jenni. Por, Sadiku nuk kaloi edhe pengesën e tretë në Lojërat Evropiane. Në çerekfinale të mërkurën u mposht nga francezja me përvojë, Estelle Mossely, që ishte bindshëm më e mirë në dy rundet e para. Donjeta ishte pasive në dy rundet e para. Në të tretin u aktivizua dhe arriti ta fitonte, por jo edhe ta fitonte meçin që do t’ia siguronte medaljen, e po ashtu edhe normën olimpike për “Parisi 2024”. Por pengesa e tretë në Poloni ishte e pakalueshme për Sadikun, që humbi nga fituesja e medaljes së artë olimpike “Rio 2016”. Francezja e mban titullin e botës në boksin profesionist, në versionin IBO, që nuk është prej katër të mëdhenjve. Në mars ishte paraqitur në Kampionatin Botëror të boksit amator në Indi, por ishte ndalur herët. Në Indi Donjetës iu mohua pjesëmarrja.
Në fakt, Donjeta ishte shpresa e vetme e Kosovës për medalje në Lojërat Evropiane. Pritjet për medalje nga boksi ishin ende pa nisur Lojërat Evropiane. Madje, në prezantimin e ekipit të Kosovës drejtuesit e KOK-ut ishin të bindur se nga Polonia do të ktheheshin me medalje, e po ashtu normë olimpike nga boksi. Por boksierët nuk ia dolën. Më herët u eliminuan boksierët Shpejtim Bajoku, Bashkim Bajoku, Shpejtim Shabani, Patriot Behrami, Altin Shala dhe Taulant Jakupi. Shpejtim Bajoku ishte i vetmi që e fitoi një luftë, pasi të tjerët u eliminuan në meçet e para.
“Sigurisht që pritjet i kishim për medalje, por na vjen keq që nuk ia doli. Megjithatë, Donjeta ka edhe dy mundësi tjera për ta fituar normën për Lojërat Olimpike. Ne besojmë se ajo do ta fitoj normën olimpike”, ka thënë sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.
Edhe në sportet tjera deri më tani nuk ka pasur ndonjë sukses të Kosovës në Lojërat Evropiane.
Pa sukses pritet të kalojnë edhe garat e sportistëve në kajak dhe teqball. Në sportin e kajakut, Kosovën do ta përfaqësojnë Lorand Gjoshi dhe Blandine Xhmajli. Në teqball do të garojnë Adrien Uka dhe Krenar Emini.
Ndërkohë, Shqipëria deri tani ka fituar dy medalje të arta. Të artën e fituan atletja Luiza Gega dhe karateisti kosovar, Alvin Karaqi. Ka shpresë edhe për ndonjë medalje tjetër. Kosova po paraqitet në edicionin e tretë të Lojërave Evropiane, ndërsa në dy edicionet e para u kthye me medalje nga Azerbajxhani (2015) dhe Bjellorusia (2019). Prej dy edicioneve të para, Kosova ka katër medalje, një të artë, një të argjendtë dhe dy të bronzta. Të gjitha medaljet u fituan nga xhudistët. Ata nuk morën pjesë në Poloni pasi këtë herë gara e xhudos është ekipore e jo individuale.