Sport

Në Poloni nuk fituan medalje, por boksierët kanë ende shpresa për normë olimpike

Shpresat më të mëdha të Kosovës për medalje në Lojërat Evropiane ishin në boks. Gara e boksit në Lojërat Evropiane, që përfunduan të dielën, kishte vlerë të madhe. Ka shërbyer edhe për të fituar normë për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Boksierët e Kosovës nuk fituan medalje e nuk fituan as normë për Olimpiadën e ardhshme. Më e suksesshmja ishte Donjeta Sadiku që shënoi dy fitore. Ajo humbi duelin për medalje të bronztë dhe për normë olimpike.

Shpejtim Bajoku e shënoi një fitore, ndërsa Bashkim Bajoku, Patriot Behrami, Taulant Jakupi, Altin Shala e Shpejtim Shabani u ndalën në meçet e para.

“Për medalje kam shpresuar te Donjeta dhe të vëllezërit Bajoku”, thotë Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës.

Ai thotë se tre boksierëve, Jakupit, Shalës e Shabanit, u ka munguar përvoja ndërkombëtare.

“Në Kosovë dhe në regjion nuk po ka konkurrence në peshat e rënda. Dhe këta djelmosha nuk po kanë meçe të mjaftueshme”, ka shtuar Demolli.

Ai vlerëson se Donjeta është paraqitur mirë në dy meçet e para dhe se ishte më e mirë se francezja Estelle Mossely, prej së cilës pësoi në çerekfinale.

“Donjeta i ka edhe dy turne kualifikues për Olimpiadë, në mars dhe në maj të vitit të ardhshëm. Besojmë se pa problem do ta fitojë normën për Paris”, ka shtuar Demolli.

Edhe për Shpejtim Bajokun, Demolli thotë se e ka merituar fitoren ndaj boksierit nga Turqia, por se gjyqtarët kanë vlerësuar ndryshe.

Për Bashkim Bajokun thotë se nuk kishte fat në short, pasi në meçin e parë e kishte përballë kampionin evropian, boksierin e Francës, Billal Bennama. Bennama në fund fitoi të artën edhe në Lojëra Evropiane.

“Edhe për këta boksierë ka shpresë në dy turnetë e radhës, kualifikues për Olimpiadë. Turnetë mbahen në mars dhe maj të vitit të ardhshëm. Besoj se përzgjedhësi Besim Brahimi do të bëjë filtrimin e boksierëve dhe të zgjidhen vetëm më të mirët që kanë shanse për të fituar normën olimpike. Do t’u përkushtohemi përgatitjeve dhe kampeve ndërkombëtare që boksierë tanë të kenë sparingje me boksierët ndërkombëtarë”, ka theksuar Demolli.

Në sportet e tjera, Kosova nuk u është afruar medaljeve. Por edhe në boks medaljes i është afruar vetëm Donjeta Sadiku.