Sport

Për normë olimpike, Sadiku e Bajoku duhet të kalojnë kampionët e botës

Boks

E shtuna do të jetë ditë e madhe për Donjeta Sadikun dhe Shpëtim Bajokun. Për boksin dhe sportin kosovar po ashtu.

Boksierja Donjeta Sadiku mund ta sigurojë normën olimpike, ndërsa boksieri Shpëtim Bajoku të kalojë pengesën e madhe drejt saj.

Pasdite, Donjeta Sadiku përballet me italianen Alessia Mesiano, në gjysmëfinale të kategorisë deri 60 kilogramë në turneun e parë botëror kualifikues për lojërat olimpike “Parisi 2024”. Turneu po mbahet në Busto Arsizio në Itali. Boksierja që shënon fitore kualifikohet në Lojërat Olimpike në Paris. Humbësja e ka edhe një rast, përkatësisht meçin me humbësen e gjysmëfinales tjetër.

Sigurimi i normës do të ishte sukses shumë i madh për Donjetën dhe boksin kosovar në përgjithësi. Deri më tani Kosova ka norma vetëm në xhudo për lojërat olimpike “Parisi 2024”.

Donjeta ka qenë bindëse deri më tani, ndonëse kishte garë shumë të ngarkuar. Ka fituar 5:0 ndaj britanikes Shona Whitwell, grekes Christina Linardatou dhe gjermanes Felicitas Ganglbauer. Kështu i është afruar normës.

Mesiana është boksiere me përvojë. 32-vjeçarja ka titull të botës në vitin 2016. Në vitin 2014 dhe në vitin 2022 ishte e treta në botë në boksin amator. Një dekadë më parë kishte fituar edhe medalje të bronztë evropiane.

Edhe për italianen, njëjtë si për Donjetën, kualifikimi në Lojëra Olimpike është ëndërr.

Donjeta Sadiku, 24-vjeçare, në vitin 2022 fitoi medalje të bronztë botërore dhe evropiane. Ajo u paraqit në Lojërat Olimpike në Tokio, por me ftesë. Ishte e lënduar dhe u ndal menjëherë.

Me italianen, Donjeta ka boksuar vetëm një herë.

“Ishte e sëmurë dhe pësoi humbje. Tani Donjeta është në formë të lartë, është në ritmin e duhur dhe të gjithë presim që ajo ta sigurojë normën olimpike. Do të jetë një sukses i rëndësishëm për federatën tonë dhe për boksin kosovar në përgjithësi”, ka thënë të premten për KOHËN, Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës.

Donjeta fitoren e fundit e shënoi të enjten, kur boksoi edhe Shpëtim Bajoku në kategorinë deri 63,5 kilogramë. Shpëtimi e mposhti bindshëm boksierin nga Kirgistani, Mirzokhid Imamnazarov, 5:0. Shpëtim Bajoku është boksieri më i mirë në vend. Ai kthehet në ring të shtunën mbrëma. Përballë do ta ketë kundërshtarin më të fortë të mundshëm, Ruslan Abdullaevin e Uzbekistanit. Abdullaev e fitoi titullin e kampionit të botës vitin e kaluar në Tashkent në kategorinë deri 63,5 kg.

Nëse e mposht Abdullaevin, Bajokut do t’i duhet edhe një fitore për të siguruar normën olimpike.

“Shpëtimi do ta ketë përballë kampionin e botës dhe po ashtu po i duhet të heqë peshë. Kjo po i kalon në lodhje. Por ai është i përkushtuar për një paraqitje shumë të mirë”, ka theksuar Demolli.

Bashkim Bajoku ka garuar po ashtu në Itali, por u ndal në luftën e parë.

Boksierët e kanë vetëm edhe një rast tjetër për kualifikim në Lojërat Olimpike.

Turneu i dytë kualifikues botëror mbahet prej 23 majit deri më 3 qershor në Bangkok të Tajlandës. Kosova do të paraqitet edhe në atë turne.