Në Busta Arsizio të Italisë të dielën filloi turneu i parë olimpik kualifikues i botës në boks. Po marrin pjesë 602 boksierë nga 113 shtete të ndryshme. Në mesin e tyre janë edhe tre boksierë të Kosovës.
Njëri tashmë është eliminuar. Bëhet fjalë për Bashkim Bajokun, që të dielën pasdite u paraqit në raundin e parë në kategorinë deri 51 kilogramë. Ai e kishte përballë boksierin nga Meksika, Ari Bonilla. Meksikani i ri shfaqi më shumë dhe vazhdoi në raundin e dytë. Ndërkohë Bajokut i mbetet të përgatitet më shumë për turneun e dytë kualifikues botëror, që është rasti i fundit për të siguruar normë për “Parisi 2024”.
Te boksierët ndahen nga katër norma në secilën kategori në turneun në Itali, që zhvillohet deri më 11 mars. Shumica e boksierëve duhet të shënojnë katër fitore për të siguruar normën. Shpëtim Bajokut, që është vëllai i Bashkimit, i mjaftojnë tri fitore. Në bazë të shortit, Shpëtim Bajoku ishte i lirë në xhiron e parë të kategorisë deri 63,5 kilogramë. Në xhiron e dytë e pret fituesin e duelit mes Mirzokhid Imamnazaro të Kirgistanit dhe Michael Abiola të Nigerisë. Shpëtim Bajoku fillon garën më 7 mars.
Derisa në kategorinë deri 51 kilogramë janë 48 boksierë në garë, në kategorinë deri 63,5 kilogramë normën olimpike e kërkojnë 59 boksierë.
Te boksieret, në katër kategori ndahen nga katër norma nga turneu në Itali. Në kategorinë deri 57 kilogramë janë vetëm dy norma, ndërsa në kategorinë deri 60 kilogramë janë tri norma.
Në 60 kg garon Donjeta Sadiku. Asaj i duhet të shkojë në finale, apo të fitojë meçin për vend të tretë nëse ndalet në gjysmëfinale. Donjeta Sadiku garon të martën, ndërsa përballë në ring do ta ketë Shona Whitwellin e Britanisë së Madhe. Ndaj saj ka një fitore e një humbje.
Edhe
Për normë olimpike, Sadiku e Bajoku duhet të kalojnë kampionët e botës
Rasti i fundit për boksierët kosovarë që të fitojnë normë për “Parisi 2024” është turneu u dytë kualifikues botëror që mbahet në Bangkok të Tajlandës prej 23 majit deri më 3 qershor. Edhe në atë turne konkurrenca pritet të jetë shumë e madhe.
Deri më tani Kosova ka norma vetëm në xhudo. Pesë xhudistë kosovarë aktualisht janë brenda zonës që siguron normë. Në sportet e tjera deri më tani Kosova nuk u është afruar normave. Shpresat e mëdha janë te boksierët.