Boksierët e Kosovës kanë mësuar të enjten kundërshtarët në Lojërat Evropiane që po mbahen në Krakow dhe Malopolska të Polonisë. Shpresa më e madhe e Kosovës për medalje, Donjeta Sadiku, nuk e ka rrugën shumë të lehtë. Donjeta garon në kategorinë deri 60 kilogramë, ndërsa në xhiron e parë përballet me britaniken Shona Whitwell. Prej saj kishte pësuar në shtator të vitit të kaluar, në kuadër të turneut “Balkan”, në Sofje të Bullgarisë.
“Donjeta duhet t’i revanshohet britanikes dhe më pas përballë do ta ketë një boksiere nga Zvicra. Presim që ta kalojë fillimisht britaniken e më pas nuk besoj se do të ketë telashe me zviceranen”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.
Donjeta ka medalje botërore e evropiane, ndërsa është shpresa kryesore e Kosovës për medalje në edicionin e tretë të Lojërave Evropiane. Donjeta bokson menjëherë të premten.
Në kategorinë deri 60 kilogramë janë gjithsej 24 boksiere.
Të premten paraqitet në ring edhe boksieri më i mirë i Kosovës, Shpejtim Bajoku. Ai do ta ketë përballë kampionin e Kroacisë, Matteo Komadina. Meçi i takon kategorisë deri 63 kilogramë.
“Edhe Shpejtim Bajoku paraqitet të premten. Përballë e ka një boksier kroat dhe jemi optimistë. Të tjerët garojnë më vonë”, ka shtuar Demolli.
Edhe
Donjeta Sadiku e Shpejtim Bajoku me fillim shumë premtues
Bashkim Bajoku, Patriot Behrami, Taulant Jakupi, Shpejtim Shabani dhe Altin Shala janë boksierët e tjerë të Kosovës. Në boks gara e Lojërave Evropiane është kualifikuese për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
Bashkim Bajoku ka kaluar direkt në raundin e dytë në kategorinë deri 51 kg, njëjtë si Patriot Behrami në kategorinë deri 71 kg. Në kategorinë deri 80 kg, Shala përballë e ka një boksier nga Izraeli. Në kategorinë deri 92 kg, Jakupi përballet me boksier britanik në xhiron e parë. Ndërsa në kategorinë mbi 92 kg, Shabani kaloi xhiron e parë pa luftë.
Në sportet e tjera gjasat për të fituar medalje vlerësohen fare të vogla.