Prishtinë, 15 gusht – Me gjithë angazhimin e Dinamos së Zagrebit, lojtari i kësaj skuadre, Lirim Kastrati, nuk do të udhëtojë në Moldavi.
Shteti i Moldavisë për arsye politike nuk ka lëshuar vizë për Kastratin, reprezentuesin e Kosovës.
Dinamo e Zagrebit të dielën ka konfirmuar se Kastrati nuk do të jetë pjesë e delegacionit që do të marrë rrugë për në Moldavi, për ta luajtur ndeshjen e plejofit të Ligës së Kampionëve. Në fazën e plejofit, Dinamo takohet me Sheriff Tiraspolin e Moldavisë.
Klubi më i madh në regjion, Dinamo e Zagrebit, të premten e ka aktualizuar çështjen e Kastratit dhe qëndrimin e shtetit moldav për të mos lejuar hyrjen e tij. I ka shkruar edhe UEFA-s e Federatës së Futbollit të Moldavisë. Por të dielën mori përgjigjen negative.
“Përmes kësaj letre njoftojmë opinionin dhe tifozët që GNK Dinamo ka dërguar një kërkesë që shteti moldav të lëshojë vizë hyrëse për lojtarin e ekipit të parë, Lirim Kastrati, që është shtetas i Kosovës. Viza është kërkuar që ai të marrë pjesë në ndeshjen e plejofit të Ligës së Kampionëve në mes të Sheriffit dhe Dinamos. Pas kontakteve intensive të klubit me Federatën e Futbollit të Kroacisë dhe me UEFA-n, të dielën kemi marrë përgjigje që shteti moldav nuk mund të lejojë hyrjen e lojtarit Lirim Kastrati në Moldavi”, ka njoftuar Dinamo përmes sajtit zyrtar.
Klubi zagrebas ka shprehur keqardhje që Kastrati nuk do të jetë pjesë e ndeshjes që luhet të martën, për arsye politike.
“GNK Dinamo shpreh keqardhje që lojtari i ekipit të parë nuk ka marrë përgjigje pozitive për udhëtimin në Moldavi, si lojtar i GNK Dinamos për ndeshjen zyrtare kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe që angazhimi i Federatës kroate dhe i UEFA-s si organizatë ombrellë e futbollit evropian, nuk ka rezultuar me përgjigje pozitive”, vazhdon tutje njoftimi. “Lojtari i Dinamos për fat të keq për arsye politike nuk ka fituar mundësinë që të jetë në gjendje që të realizojë synimet e tij sportive. E falënderojmë Federatën e Futbollit të Kroacisë, UEFA-n dhe Federatën e Futbollit të Moldavisë për përpjekjet për të zgjedhur këtë problem”.
Mediat kroate janë marrë shumë me diskriminimin ndaj Kastratit. Ai vjet kishte marrë leje për të hyrë në Rusi, por Moldavia nuk ka lëshuar pe.
Moldavia vazhdon të ketë qëndrim diskriminues ndaj sportistëve kosovarë. Në kuadër të Ligës së Kombeve, Moldavia ishte përballur me Kosovën. Por, kishte refuzuar ta organizojë ndeshjen me “dardanët” në territorin e saj. Kosovën e kishte pritur në Parma të Italisë, ndërsa ishte obliguar të luante në Prishtinë.
Moldavia nuk njeh shtetin e Kosovës dhe dokumentet e saj. Dhe viktimë e këtij qëndrimi së fundi është Kastrati. Ka edhe disa vende të tjera që kanë qëndrim diskriminues ndaj Kosovës dhe sportistëve të saj, duke përfshirë Spanjën, Ukrainën e disa shtete të tjera. UEFA nuk lejon ndeshjet e Kosovës me Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën e Rusinë, por janë edhe disa shtete të tjera, që nuk e njohin Kosovën, që kanë qëndrim diskriminues.
Për rastin e Kastratit nuk ka pasur ndonjë qëndrim zyrtar nga Federata e Futbollit e Kosovës deri më tani.