Sport

“Çështja Kastrati” kthen në vëmendje problemin e vazhdueshëm të Kosovës

Trajneri turk Engin Firat kishte folur me shumë respekt për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Në shumë raste madje.

Por, bujë kishte bërë një deklaratë jo e këndshme e Firatit derisa ai ishte në krye të Moldavisë.

“Ne nuk mund të luajmë në Kosovë e Kosova në Moldavi”, kishte thënë Firat pasi ishte tërhequr shorti për edicionin e dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s dhe Kosova kishte rënë në një grup me Moldavinë.

Ishte pritur rëndë deklarata e tij. Vlerësohej e papranueshme që shteti i Moldavisë të mos e lejojë Kosovën të luajë në territorin e saj.

Kosova i ka luajtur dy ndeshjet me Moldavinë dhe problemi për të cilin kishte folur Firat vazhdon të jetë aktual. Ky shtet ende nuk lejon hyrjen e sportistëve kosovarë. Çështja është riaktualizuar të premten, kur mediat kroate njoftuan se Moldavia nuk ka lëshuar vizë për Lirim Kastratin. Kastrati është lojtar i Dinamos së Zagrebit dhe Përfaqësueses së Kosovës. Ka pasaportë të Kosovës dhe për këtë arsye deri më tani e ka pasur të pamundur të marrë vizë për të hyrë në Moldavi.

Moldavia nuk njeh shtetin e Kosovës dhe dokumentet e saj. Dhe për këtë arsye nuk lëshon viza për sportistët kosovarë, përkatësisht nuk lejon hyrjen e qytetarëve të Kosovës.

Kosova vazhdon të mos njihet si shtet nga shumë vende në Evropë e në botë. Dhe sportistët kosovarë herë pas here përballen me probleme të cilat aktualisht i ka Dinamo e Zagrebit dhe Kastrati në veçanti. Pra me probleme politike, përkatësisht me diskriminim.

Ukraina është një tjetër shtet që deri më tani nuk ka lejuar hyrjen e sportistëve kosovarë. Në Rusi sportistët e vendit kanë depërtuar disa herë, por jo në formën më të rregullt dhe jo gjithnjë për ta prezantuar vendin. Spanja ka bërë probleme për prezantim të barabartë dhe lista vazhdon. Kazakistani, për shembull, nuk kishte lejuar përfaqësuesen e futbollit të përballet me Kosovën në miqësore në qershor për faktin se nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Por, mohimi i hyrjes në një shtet për të luajtur ndeshje të kupave evropiane vlerësohet më flagrant. Me këtë çështje aktualisht po merret Dinamo e Zagrebit, klubi më i madh në regjion. Dinamo të martën duhet të luajë me skuadrën moldave Sheriff Tiraspol në Moldavi, në kuadër të plejofit të Ligës së Kampionëve. Si qëndron gjendja aktualisht, Dinamo në Moldavi do të udhëtojë pa Kastratin. Por klubi kroat nuk do të dorëzohet lehtë. I ka shkruar UEFA-s dhe e ka bërë mediatike çështjen.

“Skandal politik”, ka shkruar të premten “Sportske Novosti”, gazeta e njohur kroate. E kanë cekur mediat kroate që Kastrati vjet ishte futur në Rusi për të luajtur për Dinamon. Dhe për to është absurde që një lojtar të lejohet në Rusi e mos të lejohet në Moldavi.

“GNK Dinamo shpreh keqardhje për faktin që shteti moldav ende nuk ka pranuar kërkesën tonë për të dhënë vizë për lojtarin Lirim Kastrati, shtetas i Kosovës. Jemi në kontakte intensive me përgjegjësit në UEFA dhe Federatën e Futbollit të Moldavisë. Shpresojmë që përpjekjet tona do të sjellin zgjidhje pozitive të këtij problemi”, thuhet në një komunikatë të Dinamos.

Mbetet të shihet nëse situata do të ndryshojë. Por, Moldavia do të vazhdojë të njihet si vend jo shumë miqësor për sportistët kosovarë. Dhe për Kosovën natyrisht.

Më 3 shtator të vitit të kaluar, Moldavia ishte nikoqire e Kosovës në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Ndeshja ishte luajtur në Parma të Italisë, pasi moldavët nuk kishin pranuar të organizojnë ndeshjen në territorin e tyre. Por moldavët u detyruan të luajnë në Prishtinë. Pas barazimit 1:1 në Parma, Moldavia kishte pësuar 1:0 në Prishtinë, më 18 nëntor të vitit të kaluar. Golin e kishte shënuar pikërisht Kastrati.

Ishte një fitore e këndshme ndaj përfaqësueses së një shteti me qëndrim diskriminues.