Më 21 maj, mbrojtësi Lirim Kastrati kishte përplasje të rrezikshme me një lojtar kundërshtar e rënie edhe më të rrezikshme në tokë. Humbi ndjenjat dhe kaloi natën në spital. 24-vjeçari tashmë është bashkuar me Përfaqësuesen e Kosovës, ndërsa është i gatshëm të japë maksimumin gjatë tërë grumbullimit.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, Kastrati, në ndeshjen e kampionatit të Hungarisë mes Ujpestit dhe Kecskemetit, pësoi tronditje pas përplasjes në ajër me një lojtar të ekipit rival. U këndell shpejt dhe u largua duke ecur e vrapuar nga fusha. Kërkoi menjëherë të aktivizohej, por mjekët nuk e lejuan. Ndërkohë humbi ndjenjat sërish dhe u dërgua në spital për kontrollime të mëtejme.
“Incidentet janë pjesë e lojës. Ka lëndime, përplasje. Por falë Zotit kam shpëtuar mirë, pasi ishte pak e rrezikshme. Isha me fat dhe nuk jam dorëzuar. Tashmë jam kthyer në stërvitje”, ka thënë Kastrati për KOHËN. Ai ka folur edhe për skenën e rëndë të 21 majit.
“Pas tronditjes që mora nuk kam ditur më asgjë. Por jam i fortë dhe dua gjithnjë t’i ndihmoj kolegët e mi. Pavarësisht se ku jam dua ta ndihmoj çdo koleg, në çdo ndeshje, në çdo rast. Pas incidentit përkrahja ishte vërtet e madhe. Më kanë përkrahur të gjithë. Por natyrisht familjen e kam pasur më së afërmi. I falënderoj të gjithë nga zemra, edhe ata që janë interesuar me një mesazh”, ka shtuar Kastrati.
Ai është nga Malisheva, ndërsa është zhvilluar në futbollin italian. Te të rinjtë ka fituar trofe me Bolognan dhe Romën. Prej vitit 2020 është tek Ujpesti hungarez. Me këtë skuadër e ka fituar Kupën dy vjet më parë. Në edicionin e fundit luajti 18 ndeshje kampionale dhe shënoi një gol.
Pas incidentit iu dhanë dhjetë ditë pushim dhe mungoi në ndeshjen e fundit kampionale. Pasi kaloi një natë në spital, është mbajtur nën kontroll për katër ditë të tjera nga mjekët dhe familjarët.
Kastrati vlerëson edicionin e fundit.
“Në fillim të vitit kam pasur disa lëndime dhe më është dashur të qëndroja jashtë fushës për disa muaj. Por është pjesë e futbollit. Kemi pasur pak vështirësi me klubin, pasi nuk na ka shkuar aq mirë në fillim të edicionit. Por me ndryshimin e trajnerit dhe pas kthimit nga lëndimi, si mua ashtu edhe ekipit na ka ecur mirë. Do të kisha dëshirë të fitonim kupën dhe të kishim arritje të tjera, por në përgjithësi jam i kënaqur”, ka theksuar Kastrati.
Ujpesti tashmë i ka ofruar kontratë të re, por Kastrati aktualisht është i fokusuar te Kosova. Më pas i ka pushimet. Ka oferta nga klubet e tjera, ndërsa thotë se do të vendosë për opsionin më të mirë që ka.
Kastrati është pjesë e Përfaqësueses A prej vitit 2017. Ka 12 paraqitje deri më tani. Ka luajtur për U21 e U19 të Kosovës e po ashtu për U17 e U16 të Shqipërisë.
Së fundmi për Përfaqësuesen A luajti në nëntor të vitit të kaluar. Në ndeshjet e marsit me Izraelin dhe Andorrën nuk ishte grumbulluar. Kosova tani luan me Rumaninë dhe Bjellorusinë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
“Jam kthyer te Kosova dhe si gjithmonë jam krenar për ftesën. Është një nder i madh të përfaqësosh shtetin tonë. Është motiv i madh si për mua personalisht ashtu edhe për familjen. Nuk ka gjë më të madhe e më të mirë sesa të prezantosh shtetin tënd. Kështu që gjithmonë do të jem i gatshëm për Kosovën dhe gjithmonë do të jap maksimumin”, ka thënë Lirim Kastrati.