Në mars, Sllovakia e Kosova do të përballen në gjysmëfinale të plejofit për Kupën e Botës 2026.
Ndeshja luhet në Bratislavë. Fituesi i kësaj ndeshjeje kualifikohet në finale të plejofit dhe luan në shtëpi me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani.
Sllovakia nuk e njeh zyrtarisht Kosovën. Por kur Kosova, përkatësisht Federata e Futbollit e Kosovës ishte pranuar në UEFA në vitin 2016, Sllovakia nuk kishte qëndrim. Nuk votoi as kundër e as pro pranimit të Kosovës në UEFA. Kishte abstenuar.
Këtë e ka zbuluar të enjten në një intervistë për mediumin sllovak “Sportnet”, presidenti i Federatës së Futbollit të Sllovakisë, Jan Kovaçik.
FFK-ja më 3 maj 2016 u bë anëtare e UEFA-s, ndërsa më 13 maj 2016 u anëtarësua edhe në FIFA.
“Mora pjesë në kongresin ku Kosova u pranua si anëtare e UEFA-s. E diskutuam këtë situatë me përfaqësuesit e shtetit sepse nuk donim të votonim në një mënyrë që ishte e ndryshme nga mënyra se si e percepton politika shtetërore. Ne komunikuam me Ministrinë e Punëve të Jashtme në atë kohë dhe ramë dakord të abstenonim. Nuk votuam pro ose kundër”, ka thënë Kovaçik.
I pari i shtëpisë së futbollit sllovak foli edhe për ndeshjen kundër Kosovës.
Ndeshja në Bratislavë është klasifikuar zyrtarisht si një ngjarje me rrezikshmëri të lartë.
Masat e sigurisë do të jenë të rrepta, ka paralajmëruar kreu i Federatës së Futbollit të Sllovakisë.
“E shohim këtë ndeshje si shumë të rrezikshme. Nuk u gëzova aspak kur mësova se e kishim këtë kundërshtar në plejof. Përveç faktit që është një kundërshtar i zgjuar në futboll, e kuptova që në momentin e parë se çfarë problemesh të tjera na presin dhe çfarë mund të ndodhë. Mendoj se në një masë të madhe duhet ta marrim parasysh këtë”, është shprehur Kovaçik.
Ai ka pranuar se ndeshja gjysmëfinale e plejofit për kualifikim në Botërorin 2026 ndaj Kosovës, nuk e ka trajtimin si të gjitha ndeshjet e tjera. Por shpreson të kenë sukses, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.
“Do të bëjmë çmos për të parandaluar çdo problem që nuk ka të bëjë me futbollin dhe që mund të lindë në stadium. Gjithashtu po konsultohemi me njerëz me përvojë nga Ministria e Punëve të Jashtme, me njerëz që kanë punuar në Ballkan. Shpresoj se do të kemi sukses”, ka theksuar Kovaçik.
Sllovakët janë të përkushtuar të kualifikohen në Botërorin në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Kualifikimin historik në Botëror e synon edhe Kosova.
“Një sukses i madh. Do të ishte vetëm hera e dytë në historinë e Sllovakisë. Është një sfidë e madhe edhe për lojtarët”, ka thënë ai.
Federata e Sllovakisë mori masa të shumta që biletat e ndeshjes të mos përfundojnë te tifozët e Kosovës.
Kosova ka pasur mbështetje të madhe në ndeshjet e fundit si mysafire, sidomos ndaj Sllovenisë në Lubjanë në nëntor të vitit të kaluar. Kishte shumë shikues në përkrahje të Kosovës, ndonëse edhe sllovenët u angazhuan që biletat të përfundojnë te tifozët e tyre. Por nuk ia dolën në këtë.
Kosovës i takojnë pesë për qind të biletave. Stadiumi në Bratislavë ka kapacitet prej 22 mijë e 500 ulësesh. Rrjedhimisht FFK-së i takojnë 1.125 bileta.
Për Kosovën ndeshja e 26 marsit është më e rëndësishmja deri më tani. Për Kosovën sukses i madh është kualifikimi në plejof. Por, tani synohet e ëndërrohet kualifikimi në Botëror.
“Rritje, besim, Kosovë. Në vitin 2022 ishim të renditur në pozitën e 107. Vitin 2026 e nisim nga pozita e 78. Në mars na presin sfidat e vërteta. Forca Kosova”, shkruan Federata e Futbollit e Kosovës të enjten.
FFK-ja ka publikuar momentet më të mira të përfaqësueses në kualifikimet e rregullta për Kupën e Botës 2026.
Kosova pati kampanjë të suksesshme kualifikuese. E mbylli në vendin e dytë në Grupin B pas Zvicrës. La pas vetes Slloveninë dhe Suedinë.