Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kastrati rikthehet te Lokomotiva e Zagrebit

Lirim Kastrati është kthyer te skuadra e Lokomotivës së Zagrebit në elitën e futbollit kroat. Kastrati i është bashkuar Lokomotivës në formë huazimi deri në fund të edicionit aktual, nga skuadra hungareze, MOL Fehervar. “Pas tre vjet e gjashtë muajsh, Lirim Kastrati rikthehet te NK Lokomotiva.

Lirimi vjen në formë huazimi nga hungarezët e Fehervarit deri në fund të edicionit. Mirë se vjen Lirim”, ka shkruar Lokomotiva në faqen zyrtare.

Futbollisti i krahut që ka përfaqësuar Kosovën në 17 ndeshje dhe e ka shënuar një gol, ka pasur edhe ofertë nga Ujpesti, por ajo është refuzuar. Kastrati në edicionin aktual ka zhvilluar 19 paraqitje, ndërsa ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar dy asistime në elitën hungareze.

Ai ka kontratë me MOL Fehervarin deri në vitin 2025. Dinamo Zagrebi në shkurt të vitit 2020 e kishte blerë Kastratin për dy milionë euro. Me skuadrën e madhe kroate, Kastrati kishte zhvilluar 51 paraqitje dhe kishte realizuar katër gola e nëntë asistime.

Gjatë asaj kohe, ai ka fituar dy herë ligën dhe një herë Kupën e Kroacisë. Dinamo e shiti te Legia e Varshavës pas një viti, për 1.3 milionë euro. Në Poloni luajti për një vit dhe zhvilloi 24 ndeshje. Shënoi dy gola e një asistim, para se të nënshkruante në verën e vitit 2022 për skuadrën hungareze, Fehervar.

Artikuj të ngjashëm