Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, ka vlerësuar pas ndeshjes se të shtunën në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ka fituar skuadra më e mirë.
Dukagjini mposhti Prishtinën 1:0. Për klinasit ishte fitorja e dytë rresht në Superligë.
“Ne morëm atë që deshëm. Rëndësi kanë pikët e plota. Duhet t’i përgëzoj djemtë për luftën e pakompromis brenda fushës. Në pjesën e dytë patëm vështirësi pasi kundërshtari ndryshoi në taktikë dhe na mori pak kohë deri sa u përshtatëm sërish në lojë. Patëm disa raste, me Johnin dhe penalltinë. Me rëndësi janë pikët. Prishtina është ekip i madh që mund ta vë në vështirësi çdo skuadër. Por, sot fitoi ekipi më i mirë”, tha Dallku fillimisht.
Dukagjini në tetë xhirot e para nuk kishte asnjë fitore. Të shtunën shënoi fitoren e dytë të njëpasnjëshme.
“Kryesia ka pasur besim te shtabi teknik, ne kemi besuar tek ekipi. Në xhirot e para kemi pasur ngërrç sepse ndryshimi i lojtarëve është i vështirë, sidomos për neve si staf. Ne kemi pasur besim. Klubi ka pasur besim te ne. Ne po mundohemi t’ua shpërblejmë. I falënderoj edhe tifozët e klubit për përkrahjen. Kjo fitore shkon për ta”, ka thënë Dallku pas ndeshjes.