Trajneri Armend Dallku është pjesërisht i kënaqur me pikët që ekipi tij Dukagjini i ka fituar në 13 xhirot e para të edicionit aktual të Superligës së Kosovës në futboll. Dallku thotë se Dukagjini ka mundur që me pak më shumë fat t’i kishte më shumë se 17 pikë nga 13 ndeshje të zhvilluara deri më tani. Kur e thotë këtë, Dallku bazohet në atë që ekipi i tij ka treguar në fushë.
“Nuk kanë qenë të rastësishme pikët e fituara. Kemi pasur mundësi të fitojmë më shumë pikë. Nuk po e them nga dëshira, por nga dominimi dhe rastet që kemi lëshuar, sidomos në ndeshjet që i kemi luajtur në shtëpi”, thotë Dallku të enjten për KOHËN.
Pas kampionit të Kosovës në fuqi, Ballkanit, Dukagjini është me serinë më të mirë në 13 ndeshjet para të edicionit aktual. Dukagjini ka seri prej 11 ndeshjeve pa humbje. Ka regjistruar tetë barazime e tri fitore. Dy humbjet e vetme ia kanë shkaktuar në muajin gusht, Malisheva dhe Llapi në dy xhirot e para. Dukagjini është në vendin e gjashtë në tabelë me 17 pikë të mbledhura, sa i kanë edhe Prishtina e Malisheva.
“Edhe barazimet të japin pikë, por është dashur t’i fitonim disa ndeshje. Kemi treguar paraqitje të mira ndaj Lirisë dhe kundër tyre i kemi dy barazime. Jemi të kënaqur me atë që kemi arritur deri tash, por me gjakftohtësi dhe pak fat kemi mundur të kemi edhe më shumë pikë. Na mbetet të përmirësohemi në të ardhmen edhe më shumë, sidomos në disa aspekte”, ka thënë Dallku.
I lumtur me ecurinë pa humbje të Dukagjinit në 11 xhirot e fundit është shprehur edhe sulmuesi i krahut, Iljasa Zulfiu.
“Jam shumë i kënaqur. Kemi një seri të mirë pa humbje. Kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve. Shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm pozitiv të ndeshjeve”, tha Zulfiu.
Trajneri 40-vjeçar para tre vjetësh e mori drejtimin e skuadrës nga Klina. Ai thotë se Dukagjini tashmë ka krijuar mentalitet të fortë.
“Neve nuk na bën përshtypje se kundër kujt luajmë. Nuk e ndryshojmë sistemin e punës apo lojës. Pra, përgatitjen e bëjmë sipas planprogramit që kemi. I përmbahemi punës sonë, të cilën e kanë kuptuar shumë mirë edhe lojtarët. E falënderoj stafin tim për punën maksimale. Jemi një ndër stafet më kërkues dhe kompletuar në Superligë”, ka theksuar ish-futbollisti i Shqipërisë.
Ai me Dukagjinin edicionin aktual u paraqit në kualifikimet e Ligës së Konferencës. E kaloi raundin e parë, por u eliminua në të dytin. Dy vjet më parë, Dukagjini ishte edhe në finale të Kupës së Kosovës.
“Gjithmonë shkojmë duke i rritur ambiciet tona si klub dhe qytet. Pretendojmë të bëjmë një ekip konkurrues në Superligë. Kemi arritur sukses madhor vitin e kaluar. Për të arritur synime më madhore duhet kushte dhe ana financiare të jetë më e madhe, pasi brenda fushës janë lojtarët që zgjedhin lojën. Nëse ka mundësi të mira, nuk diskutohet dëshira jonë. Ne po punojmë në këtë drejtim që të përgatisim një ekip konkurrues. Përsëritja e suksesit të edicionit të kaluar do të ishte arritje e madhe për ne. Evropa këtë vit na ka dhënë qetësi dhe komoditet financiar. Synimi është Evropa. Do të luftojmë si në kampionat ashtu edhe Kupë për të arritur Evropën”, ka thënë Dallku.
Dukagjini ka pasur disa ndryshime në ekip për edicionin aktual. Ka larguar disa lojtarë, ndërsa është përforcuar me disa të tjerë. Ka afruar edhe lojtarë të rinj, që sipas Dallkut do ta kenë barrën kryesore në të ardhmen. Ai thotë se në Klinë është krijuar një frymë “të gjithë për Dukagjinin”.
“Qyteti ka qenë afër grupit, qytetarët i kanë përkrahur lojtarët. Inkuadrimi në Superligë me dy barazhe të fuqishme kundër Flamurtarit dhe Trepçës ’89, pastaj finalja e Kupës, kanë filluar të besojnë te puna jonë. Durimi ka qenë gjithçka. Një qytet të tërë e kemi prapa, duke falënderuar kryetarin e Komunës po na qëndron afër. Po dëshirojmë si klub ta kemi një stadium më cilësor, sepse rajoni i Dukagjinit po përfaqësohet vetëm Dukagjini”, ka thënë Dallku.
Dukagjini më 13 nëntor për kundërshtar do ta ketë Ballkanin, ndeshje që do të luhet në Suharekë.