Armend Dallku është trajner i ri i Dukagjinit të Klinës. Klubi nga Klina e zyrtarizoi kthimin e Dallkut të hënën, një ditë pasi u nda me Armend Thaqin.
Dallku edhe më herët ka drejtuar Dukagjinin. Madje ishte gjatë në krye të kësaj skuadre, nga viti 2020 deri në vitin 2024.
Së fundi Armend Dallku ishte në krye të Vushtrrisë. Vushtrrinë e udhëhoqi për dy vjet. Vushtrria u kthye në Superligën e Kosovës në futboll, por pa Dallkun në krye të shtabit tekni. Për shkak të krizës organizative dhe financiare, ai u largua.
Ndërkohë Dukagjini me Arsim Thaqin e fitoi Kupën e Kosovës në edicionin e kaluar. Ishte Kupa e parë në histori të klubit. Dukagjini e ka edhe një titull të kampionit nga viti 1994.
Thaqi e udhëhoqi edhe fazën përgatitore të skuadrës, por javën e kaluar klinasit vendosën që të vazhdojnë me trajner tjetër.
Dukagjini garoi në Evropë, përkatësiht në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në Zvicër pësoi 1:0 nga Lugano, por më pas në Hajvali humbi 5:1, për t’u ndalur në pengesën e parë evropiane. Lugano në fakt vlerësohej favorite e madhe ndaj Dukagjinit.
“Dallku është emër i njohur për klubin dhe futbollin kosovar, ndërsa rikthimi i tij përfaqëson një hap të rëndësishëm në vazhdimësinë e projektit dhe ambicieve të KF Dukagjinit. Klubi beson se përvoja, profesionalizmi dhe përkushtimi i tij do të jenë vlera të rëndësishme në arritjen e objektivave tona sportive”, shkruan në njoftimin e Dukagjinit, të lëshuar të hënën.
Edhe
Dukagjini njofton për shkarkimin e Arsim Thaqit
Dallku e ka nisur karrierën si trajner te Prishtina. Si lojtar ka luajtur gjatë për Vorskla Poltavan në Ukrainë. Ishte edhe te Vushtrria, Prishtina e Elbasani. Ndërkohë i ka luajtur si mbrojtës 64 ndeshje për Shqipërinë.
Largimi i Thaqit dhe emërimi i Dallkut konfirmon fillimin jo të qetë të edicionit nga skuadrat kosovare. Tashmë edhe kampionia e Kosovës, Drita, është ndarë me Zekirija Ramadanin. Ramadani për kohë të gjatë ishte vlerësuar lart për punën me skuadrën gjilanase. Madje e ka udhëhequr drejt dy titujve të kampionit dhe kampanjës historike në Evropë.
Por pas telasheve me rezultate gjatë kësaj vere, Drita e Ramadani kanë ndarë rrugët. Nuk përjashtohen lëvizje të tjera në shtabet teknike të skuadrave.