Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dallku i quan heronj lojtarët e tij

Dallku

Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku i ka quajtur heronj futbollistët e tij pas fitores ndaj Prishtinës. Dukagjini, të dielën e mposhti Prishtinën me rezultatin 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të xhiros së 28-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Me këtë fitore, Dukagjini ka tubuar 38 pikë dhe trajneri Dallku ka thënë se ekipi i tij është më i qetë për vazhdimin e kampionatit, duke insistuar se ekipi i tij nuk është i rrezikuar nga rënia.

“Si në çdo ndeshje edhe në këtë ndeshje jemi futur për fitore, pavarësisht kundërshtarit. Kemi punuar gjatë tërë javës dhe jemi përgatitur mirë, duke pasur parasysh se Prishtina ishte në një formë të mirë. Lojtarët e ekipit tim janë heronj të vërtetë, pasi nuk u dorëzuan dhe po japin gjithçka nga vetja, pavarësisht problemeve që i kemi në klub”, ka thënë Dallku.

“Me këtë fitore, jemi me komod pasi kemi ikur nga zona e rënies dhe e kemi një komoditet më të mirë për vazhdimin e garave. Kështu që, mendoj se kjo ishte një fitore e rëndësishme që e merituam plotësisht. Tani jemi në një pozicion më të mirë në tabelë por ka edhe shumë ndeshje deri në fund për t’i luajtur”.

Artikuj të ngjashëm