Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, nuk është ndarë i kënaqur me nisjen e ndeshjes ndaj Llapit dhe ka thënë pas ndeshjes që e gjitha “le të mbetet në ndërgjegjen e atyre që bën spektakël”.
Dukagjini humbi në udhëtim nga Llapi, 2:1, në ndeshjen e xhiros së 20-të. Nga minuta e nëntë luajti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Besir Iseint.
“Le të mbetet në ndërgjegjen e atyre që bën spektakël. Humbëm një lojtar dhe gjithçka u prish. U munduam t’i kundërvihemi kundërshtarit dhe të vijmë deri te goli i dytë. Kaq ishte mundësia jonë për sot. Futbolli nuk përfundon sot. Llapin e uroj për fitoren, por mos të harrojmë që do ta kemi edhe një ndeshje në shtëpi. U desh të bëhen ndryshime dhe ndryshoi gjithçka. Lojtarët i përgëzoj për guximin, pasi luajtëm me një lojtar më pak. Kishim disa gjysmëraste, por kaq kishim mundësi sot”, ka thënë Dallku pas ndeshjes.