Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dallku i pakënaqur me pranimin e golave të pakuptimtë

Dallku

Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku ka thënë se pranimi i golave të pakuptimtë i ka kushtuar ekipit të tij me humbje bindëse nga Llapi.

Dukagjini, të dielën u mposht 3:0 në udhëtim nga Llapi në kuadër të xhiros së dytë. Për Dukagjinin, kjo është humbja e dytë në po aq ndeshje të luajtura në këtë edicion.

“Jam i kënaqur me angazhimin deri në minutën e 60-të, pasi në 30-të minutat e fundit i pësuam tri gola që nuk është dashur t'i pranojmë. Goli i parë na goditi rëndë dhe nuk arritëm të kthehemi. Por, ajo që është më e keqja është se po pësojmë gola të pakuptimtë dhe kjo nuk është aspak e mirë”, ka shtuar Dallku ndër të tjera për “Art Motion” pas ndeshjes.

“Po ashtu, nuk jam aspak i kënaqur me qasjen e disa futbollistëve në ndeshje, si dhe të tjerëve që po inkuadrohen. Ne luajtëm mirë deri të goli i parë, ku madje patëm edhe dy tri raste të shënojmë gol. Por, në vend që të shënojmë, në pësuam”.