Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bullgarët do të japin çdo gjë për ta kaluar Ballkanin

Te kampioni i Bullgarisë, Ludogoretsi, janë optimistë para ndeshjes së kthimit me kampionin e Kosovës, Ballkanin. Ludogoretsi e Ballkani përballen të mërkurën prej orës 20:00 në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndeshja luhet në Razgrad të Bullgarisë.

Ballkani e ka fituar 2:0 ndeshjen e parë, të luajtur javën e kaluar në “Fadil Vokrri”. Kampioni bullgar, ndonëse synon fazën grupore të Championsit, ka shfaqur më shumë se Ballkani vetëm në 20 minutat e fundit të ndeshjes. Deri në minutën e 70-të klubi kosovar ka dominuar plotësisht dhe arriti fitoren prej 2:0.

Trajneri i Ludogoretsit, Ivaylo Petev ka besim të plotë në ekipin e tij.

“Natyrisht se besojmë në ekipin tonë. Duhet të bëjmë shumë për të eliminuar Ballkanin. Po, kemi luajtur ndeshje mediokre, kemi pranuar gola fillestarë. Nuk kemi mundur të shënojmë. Prej fillimit duhet ta kërkojmë fitoren. Duhet të luajmë mençur, jo të jemi kaotik. Besoj në të gjithë lojtarët dhe besoj se do të vazhdojmë”, ka thënë Petev në konferencë për shtyp, të martën.

Ludogoretsi ka përvojë më të gjatë në Evropë dhe Petev e di se kjo është e rëndësishme.

Edhe Te Ludogoretsi vlerësojnë paraqitjen e Ballkanit: Po luan futboll të mirë Sport Te Ludogoretsi vlerësojnë paraqitjen e Ballkanit: Po luan futboll të mirë

“Gjëja më e rëndësishme është përkushtimi i të gjithëve dhe dëshira për sukses. Sa i takon rezultatit, natyrisht që kundërshtari është në pozitë më të mirë. Ne duhet të përmbysim epërsinë prej dy golave. Natyrisht që pres reagim. Duhet të përballemi me presionin që kemi. Nuk do të ketë arsyetime”, ka shtuar trajneri bullgar.

Të premten Ludogoretsi humbi edhe ndeshje kampionale në Bullgari. Por Petev vlerëson se skuadra e tij vrapoi më shumë.

“Duhet të luajmë si ekip ndaj Ballkanit. Kështu kaluam krizën në mars. Secili lojtar është pjesë e rëndësishme e ekipit. Duhet të luftojmë për njëri-tjetrin. Pritjet janë të mëdha. Duhet të bëjmë çdo gjë për ta kaluar kundërshtarin. Varet nga ne”, ka thënë Petev.

Në konferencë është paraqitur edhe kapiteni i Ludogoretsit, Kiril Despodov.

“Po mendojmë vetëm për fitore dhe për ta eliminuar kundërshtarin. Ka pasur rënie të disponimit pas lojës së dobët në Evropë, por duhet të mendojmë për ndeshjen e dytë pasi kemi një ndeshje të vështirë para nesh”, ka thënë Despodov.

Ai ka thënë se futbollistët e Ludogoretsit janë të motivuar për të dhënë çdo gjë të mundur dhe për ta eliminuar Ballkanin.

Edhe Te Ludogoretsi e vlerësojnë Ballkanin, por synojnë fitore në “Fadil Vokrri” Sport Te Ludogoretsi e vlerësojnë Ballkanin, por synojnë fitore në “Fadil Vokrri”

“Gjëja më e rëndësishme është të luajmë si ekip dhe të besojmë. Kemi aftësinë e shënimit të më shumë se dy golave. E dimë këtë dhe duhet ta dëshmojmë në ndeshje. Qartë se Ballkani ishte ekip më agresiv se ne. Ne nuk duhet të bëjmë asgjë ndryshe, duhet të luftojmë. Nuk e di me çfarë taktike do të paraqitet rivali, por nuk duhet të brengosemi”, ka vazhduar kapiteni i Ludogoretsit.

Ndeshja luhet në “Huvepharma Arena”, që ka kapacitet prej 10 mijë ulëseve.