Trajneri i Ludogoretsit, Ivaylo Petev, di shumë gjëra për Ballkanin. Thotë se e ka përcjellë rrugëtimin e kampionit kosovar në Evropë edicionin e kaluar, për çka edhe e ka cilësuar të vështirë përballjen në Prishtinë.
Petev thotë se skuadra nga Suhareka ka lojtarë shumë cilësorë. Por insiston se ekipi i tij në Kosovë ka ardhur për ta nisur me fitore rrugëtimin e ri në Evropë, përkatësisht në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Kampioni bullgar të martën në “Fadil Vokrri” do të përballet me kampionin e Kosovës, në kuadër të raundit të parë kualifikues të “Championsit”. Ndeshja nis në orën 20:45.
“Futbolli i Kosovës është në rritje. Kundërshtari ynë ka arritur të fitojë ndeshje të rëndësishme. Ballkani ka dukje të mirë në skenën ndërkombëtare. Kosova, si në aspektin nacional ashtu edhe te klubet ka ngritje. Ne kemi respekt për kundërshtarin. Skuadra është e njëjta me përjashtim të Ermal Krasniqit që është larguar. Kështu që nuk do ta kemi të lehtë të martën. Do të jetë lojë e vështirë. Por si çdo skuadër, ashtu edhe ne kemi synimet tona. Synimet i kemi të njëjta çdo vit. Pra, duam të jemi në grupet e Ligës së Kampionëve”, ka thënë Petev.
Skuadra e Ludogoretsit ka dominuar plotësisht në futbollin bullgar për më shumë se një dekadë. Kjo skuadër ka 12 tituj rresht. Po ashtu, ka të fituara tri kupa të Bullgarisë dhe gjashtë Superkupa. Prej edicionit 2012/13 paraqitet në garat e UEFA-s, ndërsa në dy raste ka luajtur në fazën e grupeve të Championsit.
Në shtatë raste ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ndërsa është paraqitur edhe në fazën nokaut.
Petev thotë se lojtarët e tij janë në formën më të mirë të mundshme.
“Jemi në formën më të mirë. Të gjitha përgatitjet kanë kaluar sipas planit. Besoj se do të paraqitemi mirë ndaj Ballkanit. Për neve e rëndësishme është të shfrytëzojmë rastet që do t’i kemi. Synimet tona janë të paraqitemi mirë dhe ta fitojmë ndeshjen e parë e pastaj të përgatitemi për ndeshjen e dytë”, ka thënë Petev.
Ai ka konfirmuar interesimin për Albion Rrahmanin, sulmuesin e Ballkanit.
“Ballkani ka një lojtar të mirë. Albion Rrahmani ka qenë një opsion i yni. Ka edhe lojtarë të tjerë që mund t'i shërbenin Ludogoretsit”, ka thënë Petev.
Ndeshja e kthimit zhvillohet një javë më vonë në Razgrad të Bullgarisë.