Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ludogoretsi vlerëson Ballkanin

Te kampioni i Bullgarisë, Ludogoretsi kanë treguar respekt të madh për Ballkanin, kundërshtarin e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në shortin e tërhequr të martën, është përcaktuar që Ballkani dhe Ludogoretsi të përballen në ndeshjen e parë të edicionit 2023/24.

Trajneri i Ludogoretsit, Ivaylo Petev ka insistuar se ekipi i tij për asnjë moment nuk do ta nënçmoj Ballkanin, ndonëse te skuadra kosovare kanë pranuar forcën e ekipit bullgar.

Ludogoretsi ka dominuar në 12-të edicionet e fundit në kampionatin e Bullgarisë, duke fituar 12-të tituj të kampionit, ndërsa ka edhe tri kupa e gjashtë Superkupa të Bullgarisë. Petev ka thënë se e ka parasysh që Ballkani edicionin e shkuar luajti në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ndërsa ka shtuar se futbolli kosovar është në rritje e sipër. Megjithatë, ai ka thënë se Ludogoretsi synon të avancojë përtej fazës së parë kualifikuese të Championsit.

Shorti përcaktoi që të përballemi me Ballkanin dhe e pranojmë këtë short. Futbolli në Kosovë është në rritje e sipër, si në nivel klubesh ashtu edhe në nivel nacional. Nuk do të ketë aspak nënçmim nga ana jonë në këto dy ndeshje. Ballkani mori pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës edicionin e shkuar, që do të thotë se është ekip që po zhvillohet në drejtimin pozitiv”, ka thënë Petev. “Por, ne kemi synime në Ligën e Kampionëve dhe do ti ndjekim ato. Kundërshtari i parë është Ballkani dhe duhet ta tejkalojmë”. Ludogoretsi në dy raste është paraqitur në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.