Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Ludogoretsi vlerësojnë paraqitjen e Ballkanit: Po luan futboll të mirë

Për shkak të suksesit në gara evropiane dhe dominimit të plotë në Bullgari për 12 vjet, Ludogoretsi vlerësohej favorit ndaj Ballkanit në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Por në fushë, të martën mbrëma në “Fadil Vokrri” ishte kampioni i Kosovës që dominoi plotësisht. Dhe ishte skuadra e Ilir Dajës që dukej se ka përvojën e gjatë e të suksesshme në Evropë.

Ballkani fitoi 2:0 ndaj Ludogoretsit dhe është në pozitë të mirë para ndeshjes së kthimit, që është javën e ardhshme në Razgrad të Bullgarisë.

Te Ballkani ka pasur entuziazëm, por edhe maturi pas ndoshta fitores më të madhe në histori. Por suharekasit kanë pranuar se është kryer vetëm gjysma e punës. Me paraqitje, Ballkani ka fituar respektin maksimal edhe te klubi bullgar.

“Duhet të kuptoj pse gjërat nuk funksionuan për ne. Pas 10-15 minutave diçka ndodhi me ne. Ballkani me meritë kaloi në epërsi dhe ishte ekip më i mirë se ne. Kemi pasur shanse në pjesën e dytë, por ndeshje e zbehtë nga ne. Në pushim dhe me zëvendësimet e bëra kam dashur që ta mbajmë topin më gjatë. Gjithsesi duhet ta urojmë Ballkanin. Ky ekip po luan futboll të mirë. Nuk duhet të lejojmë këtë në Razgrad”, ka thënë trajneri i Ludogoretsit, Ivaylo Petev.

Për Ballkanin ky është vetëm edicioni i dytë në gara evropiane. Por Daja ka formuar skuadër kompakte që shkëlqeu vjet në Ligën e Konferencës e të martën edhe në kualifikimet e Championsit.

Edhe Te Ballkani të vendosur për sukses në Bullgari Sport Te Ballkani të vendosur për sukses në Bullgari

Por natyrisht kualifikimi në raundin e dytë mbetet ende larg.

Kampioni bullgar është paraqitur dy herë në fazën grupore të Championsit. Është paraqitur edhe në fazën grupore të Ligës së Evropës dhe ka kaluar në fazën nokaut.

Ludogoretsi në fundjavë ka ndeshje kampionale, ndërsa Ballkani mund të fokusohet plotësisht te ndeshja e kthimit.

“Duhet të punojmë në shumë gjëra. Kemi ndeshje ndaj Krumovgradit. Do të bëjmë shumë ndryshime dhe më pas do të presim për ndeshjen e kthimit. Duhet të ndryshojmë shumë gjëra në ndeshjen e dytë dhe të shënojmë gol. Do të luftojmë me të gjitha që i kemi”, ka shtuar Petev.

Nivelin e lartë të Ballkanit e ka pranuar edhe kapiteni i Ludogoretsit, Kiril Despodov.

“Kam thënë para ndeshjes se Ballkani është ekip shumë i mirë i organizuar. Luan mirë taktikisht dhe është ekip që bën presion, nuk mbrohet. Kemi vuajtur nga loja e Ballkanit në pjesën e dytë. Vendasit dominuan dhe luajtën. Na shkaktuan shumë telashe para portës sonë. Nuk jemi përgjigjur në lojën agresive të tyre dhe mendoj se me meritë nuk shënuam gol. Kishim vetëm një rast gjatë tërë ndeshjes. Mendoj se na kanë bërë presion gjatë tërë ndeshjes. Nuk do ta analizoj Ballkanin, por them që atë që e kemi bërë në stërvitje dhe atë për të cilën kemi folur, nuk e kemi aplikuar në ndeshje. Humbëm me meritë”, ka thënë Despodov.

Edhe Bullgarët do të japin çdo gjë për ta kaluar Ballkanin Sport Bullgarët do të japin çdo gjë për ta kaluar Ballkanin

Ai ka folur edhe për gjendjen e fushës në “Fadil Vokrri”. Para ndeshjes vetëm Ludogoretsi stërviti në stadium. Ballkani kishte zhvilluar stërvitjen e fundit në Hajvali.

“Nuk e duam këtë, por është mirë që kur ka kohëra të vështira të jemi të sinqertë me veten. Fusha ka ndikuar pasi ishte e ngadalshme. Bari ishte i madh, por ky nuk është arsyetim pasi kemi luajtur në fusha edhe më të këqija. Në kokën time dorëzimi nuk është opsion. Duhet të bëjmë çdo gjë për të vazhduar”, ka thënë kapiteni i Ludogoretsit.