Përzgjedhësi i Izraelit, Ran Ben-Shimon, dhe mbrojtësi Eli Dasa kanë folur me respekt për Kosovën para ndeshjes së Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Por të dy kanë kërkuar fitore në ndeshjen e parafundit të kësaj kampanje.
Ndeshja Kosova – Izraeli luhet të shtunën nga ora 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, aty ku “Dardanët” fituan para tre vjetësh me rezultatin 1:0. Golin e fitores e kishte shënuar Milot Rashica. Kosova në ndeshjen e parë me Izraelin kishte barazuar 1:1, ndërsa pa gola u mbyll dueli i zhvilluar më 1 tetor në Debrecen të Hungarisë.
“Niveli i të dy përfaqësueseve mendoj se është shumë i afërt. Mendoj se gjërat e vogla do ta vendosin se kush do ta fitojë këtë ndeshje. Nuk e lidh historinë e ndeshjeve të kaluara me të tashmen. Kosova është përfaqësuese me lojtarë të mirë. Por mendoj se edhe Izraeli është përfaqësuese e mirë dhe mendoj se do të jetë ndeshje interesante”, ka thënë përzgjedhësi Ben-Shimon.
Tek Izraeli në dyshim për të luajtur shkaku i lëndimeve janë Roy Revivo dhe Manor Solomon.
Dasa thotë se beson te pjesa tjetër e ekipit.
“Besoj në lojtarët dhe stafin profesionist. Ata mund të bëjnë gjëra të mëdha dhe gjërat po përmirësohen. Ne po e ngremë nivelin. Pritshmëria nuk është shumë e lartë, por ne duam të arrijmë gjëra të mëdha. Na pret ndeshje e vështirë. Kosova është e shkëlqyer në shtëpi, në një fushë të vështirë, me tifozë të flaktë. Presim lojë agresive. Një pengesë e vështirë na pret”, ka thënë Dasa.
Izraeli e nisi Ligën e Kombeve me humbjet 3:1 nga Austria dhe 3:0 nga Irlanda. Më pas barazoi me Kosovën 0:0, dhe me Irlandën 1:1.
Njësoj si para tre vjetësh, tek Izraeli nuk kanë qenë shumë të kënaqur me gjendjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Konferenca për shtyp e së premtes nisi me pyetje për situatën në Gaza, por izraelitët refuzuan të përgjigjeshin. Ata u pyetën se nëse Rusia është e përjashtuar nga FIFA dhe UEFA në ndeshjet ndërkombëtare, a është e drejtë që Izraeli të jetë pjesëmarrës.