Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për mungesën e barnave në institucionet publike shëndetësore, duke thënë se trefishimi i buxhetit për shëndetësinë e bën atë edhe më përgjegjës për gjendjen aktuale.
Gjatë interpelancës së sotme, Kadrijaj tha se nuk mund të mburret ministri me rritjen e buxhetit, në një kohë kur pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe vështirësi në marrjen e shërbimeve shëndetësore.
“Ju ministër po mburreni që e keni trefishuar buxhetin, andaj kjo ju bën edhe më përgjegjës se buxheti më i madh e barna nuk ka”, deklaroi Kadrijaj.
Ajo theksoi se shëndetësia nuk duhet të jetë privilegj vetëm për qytetarët që kanë mundësi financiare, por duhet të jetë prioritet për personat që përballen me probleme të rënda shëndetësore dhe kushte të vështira sociale.
Kadrijaj përmendi edhe rastin e qytetares që humbi jetën në mungesë të barnave, për të cilën ka raportuar KOHA rreth dy javë më parë, duke kujtuar deklaratën e saj: “A me jetu, a me ble barna”.
Sipas Kadrijajt, kjo deklaratë duhet t'i prekë të gjithë deputetët, veçanërisht ata që mbajnë përgjegjësi institucionale, pasi qytetarët po detyrohen të përballen me dilemën nëse paratë duhet t'i shpenzojnë për blerjen e barnave apo për ushqim.
Ajo tha se sigurimi i barnave është përgjegjësi e institucioneve përkatëse dhe se pacientët nuk duhet të lihen në mëshirë të mundësive të tyre financiare për të siguruar terapinë e nevojshme.
Kadrijaj kritikoi gjithashtu listat e gjata të pritjes dhe vështirësitë në marrjen e shërbimeve shëndetësore, duke i bërë thirrje ministrit Vitia që të reflektojë për gjendjen me të cilën po përballen qytetarët.