Te kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, vazhdojnë të vlerësojnë kampionin e Bullgarisë, Ludogoretsin. Por edhe presin të respektohen maksimalisht nga skuadra bullgare. Në fakt respekti për Ballkanin nuk pritet të mungojë, marrë për bazë paraqitjen në ndeshjen e parë.
Ballkani të mërkurën e luan ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në Razgrad të Bullgarisë përballet me Ludogoretsin prej orës 20:00. Ballkani ka përparësi solide nga ndeshja e parë e luajtur javën e kaluar në Prishtinë. E kishte mposhtur Ludogoretsin me rezultatin 2:0.
Suharekasit të martën kanë udhëtuar për në Razgrad dhe në mbrëmje mbajtën stërvitje në stadiumin e ndeshjes. Para stërvitjes në konferencë folën trajneri Ilir Daja dhe kapiteni Edvin Kuç.
Trajneri Daja pret paraqitje si në Prishtinë nga lojtarët e tij.
“Do të mundohemi ta bëjmë lojën tonë, ashtu siç e kemi bërë në Prishtinë, duke vlerësuar drejt kundërshtarin. Por gjithnjë duke mos mohuar edhe vlerat tona, sepse kemi kohë që paraqitemi goxha mirë në garat evropiane”, ka thënë Daja.
Edhe
Te Ludogoretsi vlerësojnë paraqitjen e Ballkanit: Po luan futboll të mirë
Ai insiston se Ballkani do ta ketë qasjen e njëjtë në lojë.
“Duke filluar nga faza eliminatore deri në prezantimin në grupe, vjet, nuk kemi humbur me dy gola diferencë dhe nuk jemi mbrojtur. Por jemi mbrojtur ashtu siç duhet mbrojtur në futboll, që të mbrohesh me gjithë ekipin dhe të luash mirë në dy fazat. Nesër duhet të jemi fleksibil si në fazën e mbrojtjes ashtu edhe të sulmit. Kemi zgjedhur një strategji duke u nisur nga rezultati 2:0. Por kjo nuk do të jetë primare për ne. Primare për ne do të jetë ajo lojë që kemi zhvilluar dhe instaluar me futbollistët cilësorë që kemi”, është shprehur Daja.
Trajneri tiranas e di që Ludogoretsi do të ushtrojë presion që nga minuta e parë. Ai pret që presioni të përballohet me angazhim maksimal si në fazën e mbrojtjes ashtu edhe në sulm.
“E kishim studiuar kundërshtarin duke e respektuar maksimalisht, pasi bëmë futboll goxha të mirë në të gjitha aspektet. Bëmë lojën tonë që rezultoi me sukses. Ne nuk do të mbrohemi edhe pse kemi fituar 2:0. Do të punojmë edhe në fazën e mbrojtjes edhe sulmit, pasi mendojmë se Ludogoretsi nesër do ta fillojë më furishëm takimin për shkak se është minus dy gola. Do ta bëjmë mbrojtjen, por ashtu siç e kemi bërë në Prishtinë”.
Me Ballkanin në Bullgari nuk ka udhëtuar vetëm Albin Kapra, për shkak të problemeve shëndetësore.
Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, pret të respektohen nga lojtarët e Ludogoretsit. Ai ka thënë se ende nuk mund ta mendojnë kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Thotë se janë edhe 90 minuta të vështira në Razgrad.
Edhe
Te Ballkani janë gati për “finalen e parë”
“Ne nuk e kemi ndërmend të ndërrojmë diçka nga ndeshja e parë. Përballë kemi një skuadër shumë të fortë, të cilën e kemi respektuar. Por tani edhe ne duhet të respektohemi. Nuk kemi ardhur ta vendosim autobusin para portës, por të tregojmë kualitetin dhe ta mbrojmë rezultatin e ndeshjes së parë. Kemi edhe 90 minuta dhe shpresojmë të kalojmë në raundin e dytë”, ka thënë mesfushori Kuç.
Në rast se Ballkani kalon në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, do të ishte e arritur e madhe. Asnjë kampion i Kosovës nuk ka kaluar raundin e parë kualifikues të Championsit deri më tani. Këtë mundësi e ka Ballkani.