Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Ballkani të matur para ndeshjes në Çeki

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka insistuar se ekipi i tij është plotësisht i gatshëm për ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës. Ballkani në kuadër të xhiros së parë të Grupit C luan në udhëtim te Viktoria Plzeni.

Kjo ndeshje mes Plzenit dhe Ballkanit zhvillohet të enjten prej orës 21:00. Në konferencën për shtyp, të mbajtur të mërkurën, Daja ka pranuar forcën e Plzenit përballë Ballkanit. Ai ka thënë se Plzeni llogaritet favorit në këtë ndeshje, duke pasur parasysh përvojën në garat evropiane dhe formën e mirë që po e kalon këtë edicion, por ka shtuar se Ballkani nuk ka udhëtuar në Çeki i dorëzuar. Ka shtuar se krahas paraqitjes së mirë, Ballkani të ketë edhe pak fat për një rezultat ta favorshëm në ndeshjen e parë të fazës së grupeve. Sipas Dajës, Plzeni dhe Dinamo e Zagrebit, mbesin ekipet favorite për të avancuar nga faza e grupeve. Pjesë e këtij grupi është edhe Astana e Kazakistanit, e cila të enjten do të luajë në Kroaci kundër Dinamo Zagrebit.

“Startojmë me ndeshjen e parë të grupeve të Ligës së Konferencës, ku shorti na ka vënë përballë ekipit favorit, pasi Plzeni dhe Dinamo mbeten favoritët kryesorë të grupit. Plzeni ka një përvojë shumë të madhe në garat evropiane, përfshirë edhe paraqitet në grupet e Ligës së Kampionëve. Po ashtu, po kalon nëpër një formë të mirë edhe në kampionat. Ne jemi një ekip që për herë të dytë jemi në grupet e Ligës së Konferencës dhe jemi në riformatim e sipër për shkak të largimeve të fundit. Do të jetë një përballje e vështirë, por ne nuk do të futemi të dorëzuar dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën tonë në këtë ndeshje”, është shprehur Daja.

Për dallim prej Plzenit, Daja shtoi se edhe Ballkani ka një eksperiencë në garat evropiane, por që e vlerësoi të vogël. Shtoi se edicionin e shkuar Ballkani pati paraqitje në përgjithësi të mira në fazën e grupeve të kësaj gare. Po ashtu, ai tërhoqi një paralele mes Plzenit dhe Slavia Pragës, kundërshtarit me të cilin Ballkani u përball edicionin e shkuar. Të dyja ndeshjet me Slavian, Ballkani i humbi me rezultatin minimal – 1:0 dhe 3:2.

“Kemi pasur një përvojë të mirë sa u përket paraqitjeve edicionin e shkuar në grup, ku jemi përballur me Slavian që është në nivel me Plzenin. Kur përball kemi një kundërshtar që luan mirë, mund të them se për ne është një gjë pozitive. Janë dy ekipe të forta por që kanë mënyra të ndryshme të lojës që aplikojnë. Neve na janë larguar disa nga lojtarët tanë kryesor në disa kampionate më të forta dhe lojtarët e rinj duan kohën e tyre që të komponohen me pjesën tjetër të grupit. Do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë, siç ka qenë edhe me Sllavian por jemi të gatshëm të matemi”, është shprehur Daja.

Ai shtoi se e ka parasysh formën e mirë të Plzenit, ekip që i ka fituar 10 ndeshjet e fundit. Mirëpo insistoi se edhe Ballkani në kampionatin e Kosovës ka treguar një ecuri të mirë këtë edicion, ku prej katër ndeshjeve të zhvilluara ka tubuar 10 pikë. Bazuar në këtë, Daja tha se secila ndeshje është histori në vete.

“Natyrisht, që kundërshtari po kalon një formë tepër të mirë, por edhe ne në kampionatin tonë, përtej problematikave, kemi 3 fitore dhe 1 barazim në katër xhirot e para. Ne kemi shumë respekt për serinë e Plzenit, por çdo ndeshje është e veçantë dhe ka historinë e saj. Shpresojmë që duke pasur edhe fatin në anën tonë, të bëjmë diçka të mirë në Çeki”, u shpreh Daja.

Trajneri nga Shqipëria nuk e zbuloi planin e tij që e ka përgatitur për ndeshjen me Plzenin, por insistoi se ka marrë masat e duhura për t’iu përgjigjur në fushë. Ndërkohë, sa i përket detajeve të tjera, shtoi se pret që Ballkani t’i prezantojë gjatë ndeshjes dhe atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Pranoi se ka marrë disa gjëra edhe nga përballjet që Plzeni i ka pasur muaj më parë me skuadrën e Dritës dhe e di shumë mirë se çka e pret në Çeki.

“Sigurisht që kemi marrë diçka nga ajo ndeshje, por jo shumë, sepse ka qenë në kuadër të raundit të dytë kualifikues dhe ne presim një Plzen edhe më të fortë, sepse çdo javë që kalon, ekipet futen në një ritëm akoma më të mirë. Por, sigurisht që i kemi parë ato ndeshje dhe e kemi parasysh se çfarë na pret”, shtoi Daja.

Përkrah Dajës, në konferencën për shtyp u paraqit edhe sulmuesi Albin Berisha. Edhe ai pranoi se Plzeni mbetet favorit, por insistoi se synimi i Ballkanit është të marrë një rezultat pozitiv në Çeki.

“E nisim fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ndaj një ekipi si Plzeni që është favorit për shkak të kaluarës në garat evropiane. Krahas respektit për Plenin si favorit, do ta respektojmë edhe veten. Nuk do të futemi të dorëzuar në fushë, do të mundohemi të bëjmë një ndeshje të bukur dhe të shpresojmë për një rezultat pozitiv”, ka thënë Berisha.

Për Ballkanin, kjo është hera e dytë rresht që paraqitet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Edicionin e shkuar Ballkani regjistroi një fitore, një barazim dhe katër humbje në gjashtë ndeshje të zhvilluara, rezultate këto që nuk mjaftuan për të avancuar tutje.

Artikuj të ngjashëm