Sport

Ballkani luan menjëherë të martën, kapiteni Kuç i bindur në kthim të fuqishëm

Për shkak se Kosova e ka vetëm një stadium ndërkombëtar, dhe madje me fushë në gjendje goxha të rëndë, Ballkani do të detyrohet të luajë menjëherë të martën ndeshjen e ardhshme ndërkombëtare. Kampioni i Kosovës, Ballkani, të mërkurën u eliminua nga Liga e Kampionëve, përkatësisht nga raundi i parë kualifikues. U mposht 4:0 nga Ludogoretsi në Razgrad të Bullgarisë. Nga Bullgaria skuadra suharekase u kthye të enjten. Tani të martën e pret në “Fadil Vokrri” skuadrën nga Irlanda e Veriut, Larne, në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja do të zhvillohet prej orës 20:45.

Trajneri Ilir Daja ka pak kohë për ta përgatitur ndeshjen e ardhshme, por termini i shpejtë e ka edhe një gjë pozitive – te Ballkani nuk do të mund të merren shumë me eliminimin e dhimbshëm nga kampioni bullgar. Ballkani kishte fituar 2:0 në Prishtinë për të humbur 4:0 në Razgrad. Në fakt Ludogoretsi ishte favorit i madh kur u tërhoq shorti. Por pas fitores në Prishtinë, optimizmi te Ballkani u rrit shumë.

Në Bullgari megjithatë u dëshmua se Ludogoretsi aktualisht është skuadër e nivelit dukshëm më të lartë.

Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, pranon forcën e skuadrës bullgare.

“E dinim që nuk do të ishte e lehtë. Përkundër fitores në Prishtinë prisnim një lojë të vështirë. Nuk më pëlqen të kërkoj alibi, por mund të them që ishim të pafat në short. Luajtëm me ndoshta kundërshtarin më të fortë në raundin e parë të kualifikimeve. Kur luan kundër skuadrave të tilla çdo gabim kushton shtrenjtë. Nuk ishim në nivelin tonë dhe nuk do të doja të veçoja askënd. Kur fitojmë jemi bashkë dhe kur humbim jemi bashkë”, ka thënë Kuç të premten për KOHËN.

Ballkani edhe vjet ishte ndalur në raundin e parë kualifikues të Championsit. Më pas kishte arritur deri në grupet e Ligës së Konferencës. Vjet përballë në Champions e kishte Zhalgirisin e Lituanisë. Ludogoretsi është skuadër me suksese dukshëm më të mëdha.

Kuç thotë se momenti i vështirë i eliminimit në Bullgari shërben edhe për ta forcuar skuadrën.

“Ludogoretsi është ekip serioz. Është kampion i Bullgarisë 12 vjet rresht. Çdo vit luan në fazën e grupeve të një prej kompeticioneve të UEFA-s. Besuam në lojën me pasime, sidomos pas pjesës së parë. Nuk shkuam atje për t’u mbrojtur, por ai goli i hershëm na mërziti. Momentet e vështira krijojnë njerëz të fortë. Nuk kemi shumë kohë për t’u pikëlluar. Duhet të dalim sa më shpejt nga ajo disfatë. Menjëherë të martën na pret ndeshja e re. Unë besoj në këtë klub dhe në bashkëlojtarët e mi. E kemi treguar shumë herë se kur është më e vështirë se jemi më të fortë”, ka theksuar mesfushori.

Kampioni i Irlandës së Veriut, Larne, në raundin e parë kualifikues të Championsit u eliminua nga HJK Helsinki i Finlandës. Në Evropë garon për herë të tretë rresht.

Ballkani duhet ta shfrytëzojë ndeshjen e parë për avantazh ndaj Larnes. Ndeshja e kthimit zhvillohet më 3 gusht në Belfast.

“Nuk na mungojnë asnjëherë forca, vullneti dhe motivimi. Jemi gjithmonë të uritur për të fituar. Duhet të jemi gati për çdo gjë dhe të shkojmë nga ndeshja në ndeshje. Duhet të jemi të bashkuar, të tregojmë karakter kur është më së vështiri”, ka theksuar Edvin Kuç.

Në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës paraqiten edhe Drita e Gjilanit dhe Dukagjini i Klinës.