Sport

Ballkani udhëton drejt Gjibraltarit për të mos përsëritur episodin në Bullgari

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, udhëton drejt Gjibraltarit nga Tirana me vetëm një qëllim – kalimin në plejof të Ligës së Konferencës. Por, për t’ia arritur këtij qëllimi Ballkani duhet ta ruajë fitoren 2:0 të arritur javën e kaluar në Prishtinë ndaj Lincoln Red Impsit. Në fakt, 2:0 pati fituar edhe ndaj Ludogoretsit në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës, por u eliminua pas humbjes 4:0 në Razgrad.

“Ne jemi të fokusuar 100 % vetëm në këtë ndeshje, kështu duhet të mendojmë. Le të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje. Ajo disfatë na bëri më të fortë, ishte e vështirë, por ne gjetëm forcë dhe vazhduam”, ka thënë kapiteni i klubit nga Suhareka, Edvin Kuç të martën për KOHËN.

Në të vërtetë, Ballkani vazhdoi me sukses rrugëtimin në Evropë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve. Kaloi pa problem pengesën e parë në kualifikimet e Ligës së Konferencës. E eliminoi në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, Larnen e Irlandës së Veriut me rezultat të përgjithshëm 7:1. Me sukses e mbylli edhe ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues ndaj Lincoln Red Impsit. E fitoi 2:0 dhe i mbetet ta ruajë këtë rezultat edhe në ndeshjen e kthimit në Gjibraltar, të cilën Ballkani e luan të enjten nga ora 18:00 në “Victoria Stadium”.

“Ne kemi një rezultat pozitiv nga ndeshja e parë, por kjo nuk do të thotë se mund të pushojmë, nuk duhet të lejojmë që kundërshtari të luajë për asnjë moment. Ne kemi cilësinë për të bërë gjëra të mëdha, por duhet ta tregojmë atë në fushë. Jam i sigurt se çdo lojtar do të bëjë më të mirën për të arritur objektivat tona”, ka thënë Kuç.

Në rast se Ballkani kalon me suksese Lincolnin, me shumë gjasë përballë në plejof do ta ketë BATE Borisovin e Bjellorusisë. BATE Borisovi pësoi disfatë nga Sheriff Tiraspoli me rezultatin 5:1 në ndeshjen e parë ta raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Te Ballkani kanë nisur të mendojnë për ndeshjen e plejofit. Synimi është edhe më i madh – ta përsëritin suksesin e edicionit të kaluar. Ballkani edicionin e kaluar u paraqit në grupet e Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të UEFA-s për nga rëndësia. Por ishte sukses historik edhe për futbollin kosovar. Asnjë skuadër më parë nuk kishte arritur të kualifikohej në grupet e ndonjë gare të UEFA-s.

“Qëllimi është vetëm kalimi në plejof. Kryesore është të kualifikohemi. Gjysmën e punës e kemi kryer, ndërsa duhet ta përfundojmë edhe gjysmën tjetër për ta siguruar ndeshjen e plejofit”, ka thënë sulmuesi i krahut, Meriton Korenica.

Korenica është prej lojtarëve më të mirë që ka skuadra e Ballkanit. Ai mund të largohet nga Ballkani gjatë këtij afati kalimtar. Interesimi nga klubet e ndryshme evropiane është i madh. Ballkani këtë vit shiti dy lojtarë. Në janar Ermal Krasniqin te Cluji për 200 mijë euro, ndërsa pak javë më parë Albion Rrahmanin për 600 mijë euro te skuadra tjetër rumune, Rapid Bukureshti.