Pasi u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, Ballkani i Suharekës vazhdon garimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Kampioni i Kosovës përballë do ta ketë kampionin e një vendi tjetër, Larnen e Irlandës së Veriut.
Ndeshja e parë është të martën në “Fadil Vokrri” nga ora 20:45. Ndeshja e kthimit zhvillohet në Belfast, më 3 gusht.
Njëjtë si Ballkani, Larne po kalon momentin më të mirë prej themelimit si klub, në vitin e largët 1889. Në edicionin 2022/2023 e ka fituar titullin e parë të kampionit në histori. Për titull, fitoi garën në Linfieldin dhe Glentoranin.
Si kampion, Larne startoi në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Përballë e kishte HJK Helsinkin, kampion i Finlandës. Në Helsinki humbi 1:0, me gol të pësuar në minutën e tretë. Në Belfast, Larne luajti ndeshje të madhe. Pasi pranoi gol në minutën e 26-të, u kthye duke kaluar në epërsi prej 2:1. Kështu ndeshja shkoi në vazhdime.
Në vazhdime Larne shënoi autogol dhe u eliminua nga Championsi.
“Lojtarët duhet të jenë shumë krenarë për paraqitjen në të dy ndeshjet. Atmosfera në zhveshtore është e zymtë dhe fakti se nuk jemi të kënaqur me këtë eliminim dëshmon se ku duam të shkojmë si klub. Do të ndërtojmë mbi këto paraqitje. Nuk kishte ndonjë dallim mes Helsinkit dhe skuadrës sonë. U kam thënë lojtarëve se me paraqitje si këto dhe me pak më shumë trimëri në Evropë, nuk do të jemi shumë larg”, kishte thënë pas eliminimit nga Helsinki, trajneri i Larnes, Tiernan Lynch. Ai ka thënë se skuadra dëshiron më shumë tani.
“Klubi është përpjekur për gjashtë apo shtatë vjet për të arritur këtu. Tani jemi më të uritur, duam më shumë. Ky grup lojtarësh meriton të jetë në atë skenë dhe të luajë në këto gara. Shpresojmë se mund të vazhdojmë tutje”, ka shtuar Lynch.
Kundërshtari i Ballkanit, në gara evropiane debutoi në edicionin 2021/2022. Ishte paraqitur në Ligën e Konferencës, ku në raundin e parë kualifikues kishte kaluar Bala Townin e Uellsit e në raundin e dytë Aarhusin danez. Në raundin e tretë kualifikues ishte eliminuar nga Paços de Ferreira e Portugalisë.
Në edicionin 2022/2023, Larne kishte nisur sërish raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ishte ndalur në pengesën e parë. E eliminoi St Josephi i Gjibraltarit.
Ballkani ka një vit më pak përvojë në Evropë, por ka shkuar shumë më larg. Vjet ishte në grupet e Ligës së Konferencës. Këtë edicion në raundin e parë të Championsit u përball me Ludogoretsin bullgar. Fitoi 2:0 në Prishtinë, por pësoi 4:0 në Razgrad dhe u eliminua.
Larne i ka bërë prezantim të detajuar Ballkanit në faqen zyrtare. Por te kjo skuadër megjithatë kanë pranuar që nuk kanë shumë njohuri për kampionin kosovar.
“Nuk dimë shumë për kundërshtarin, por trajneri dhe ndihmësit e tij do të punojnë për këtë. Do të marrim zemër nga paraqitjet ndaj HJK-së, por duhet të kemi më shumë besim te vetja. Javën e kaluar ndoshta ishim pak të trembur në pjesën e parë, pasi po luanim ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve. Megjithatë gjatë dy ndeshjeve kemi treguar se mund të kemi ecuri të duhur”, ka thënë Shaun Want, mbrojtësi skocez i Larnes.
Njëjtë si Ballkani, Larne ndeshjet evropiane nuk i luan në stadiumin e tij. Stadiumi nuk i plotëson kriteret e kërkuara.
Në raundin e dytë të Ligës së Konferencës paraqiten edhe Drita e Dukagjini. Këto dy skuadra luajnë të enjten ndeshjet e para.