Arbitri kryesor, Mervan Bejtullahu, arbitri i katërt, Ilir Mehmeti, delegati i ndeshjes Isak Smajli dhe zyrtarë të klubeve Ferizaj dhe Dukagjini do të merren në pyetje lidhur me takimin e futbollit që dyshohet të ketë qenë i kurdisur. Kështu ka bërë të ditur kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, për KOHËN të martën.
Hetim ka nisur edhe për ndeshjen tjetër të dyshimtë për kurdisje në mes të Trepçës ’89 dhe Prishtinës. Këto dy ndeshje u luajtën të dielën dhe i takuan xhiros së fundit të Superligës. Mënyra se si përfunduan takimet solli reagime të shumta.
“Të hënën në mëngjes e kam kompletuar lëndën dhe kam autorizuar njësitin rajonal të hetimeve të zbardhë këtë çështje. Kam specifikuar se kush të intervistohet. Të shohim në bazë të dëshmive se çfarë mund të konstatojmë. Sot në mëngjes kam kontaktuar me hetuesit, por për shkak të ngarkesës më nuk kam kontaktuar. Të hënën në mëngjes u kam thënë që të nisin intervistimin e personave kryesorë. Edhe nga skuadra e Ferizajt e po ashtu edhe nga Dukagjini do të intervistohen. Gjashtë, eventualisht shtatë persona. Përfshihen gjyqtari kryesor, gjyqtari i katërt, delegati dhe strukturat e tjera të ekipeve. Varësisht nga hetimet mund të zgjerohet edhe më shumë rrethi i personave qe do të intervistohen”, ka thënë Jashari.
Reagimet ishin të shumta të dielën lidhur me rrjedhën e dy ndeshjeve të vetme të vlefshme në xhiron e fundit të Superligës. Rrjedha e ndeshjeve ishte jonormale. Sidomos goli i pranuar nga portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri, në minutën e 105-të ka bërë bujë të jashtëzakonshme. Portieri Muhaxhiri bëri lëvizje qesharake për të mos u goditur nga topi i gjuajtur me kokë nga sulmuesi i Ferizajt, Astrit Fazliu.
Me golin e shënuar nga Fazliu, Ferizaj siguroi paraqitjen në plejaut, ndërsa Trepça ’89 bie nga Superliga. Të dy skuadrat fituan me rezultatin 2:1.
Për dy ndeshjet e dyshuara për kurdisje pati reagim nga zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani dhe Federata e Futbollit e Kosovës. Reagimi i FFK-së megjithatë ishte shumë i zbehtë.
Të martën Komisioni i Garave të FFK-së ka regjistruar me rezultatet e arritura në fushë ndeshjet e xhiros së fundit të Superligës. Pra edhe ndeshjet Ferizaj -Dukagjini dhe Trepça ‘89 - Prishtina.
Në fakt Komisioni ka iniciuar procedurë ndaj Ferizajt, por vetëm për hedhje të mjeteve piroteknike dhe gjësendeve të tjera në fushën e lojës.
Në ndeshjen në Ferizaj ishin dhënë 17 minuta shtesë, kurse në atë në Mitrovicë nëntë.