Të gjithë bashkëlojtarët e tij ishin të rraskapitur. Ishin ulur në skajin e fushës, të djersitur pas një seance të vështirë stërvitore, në kulmin e verës. Por Weston McKennie kishte ende energji për të djegur.
Përfaqësuesja e SHBA-së po përdorte qendrën stërvitore të Cleveland Browns gjatë turneut “Gold Cup 2019” dhe mesfushori i ri vendosi të argëtojë kolegët e tij pasi donte të stërvitej ende. Ai bënte pasime të gjata nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas. Për të rritur nivelin e vështirësisë, McKennie do të vraponte në një drejtim dhe do të gjuante topin në anën tjetër. Pas kësaj, ai bëri edhe disa gjuajtje në portë dhe nuk ndihej fare i lodhur. Kjo punë e tij zgjati rreth gjysmë ore.
“Ne e shikonim dhe mendonim se ky djalosh shumë lehtë do të mund të ishte një sportist në NFL”, thotë menaxheri i ekipit amerikan, Gregg Berhalter, duke kujtuar skenën. “Ai është një atlet i pabesueshëm. Madje e mati veten edhe me ragbistët e ekipit të Clevelandit që mbetën të befasuar”.
Në sytë e trajnerëve dhe shokëve të tij të skuadrës, ato minuta ushtrimi pas stërvitjes ilustruan tiparet e McKenniet - talentin atletik, energjinë e pakufishme, prirjen natyrore për argëtim dhe etikën e punës që kombinohej për të fituar një transferim përrallor te Juventusi nga Schalke në moshën 22-vjeçare.
Është e çuditshme se aftësitë atletike që i posedon McKennie u aplikuan në futboll. Kur ishte gjashtë vjeç, babai i tij, Johni, një rreshter i ushtrisë amerikane, pritej të bënte një ndryshim të përhershëm të bazës. Një opsion i konsideruar ishte Alaska, por familja vendosi në vend të saj për Gjermaninë dhe bazën ajrore Ramstein, rreth 16 kilometra jashtë Kaiserslauternit. Pikërisht në këtë vend McKenniet iu prezantua futbolli për herë të parë. Ai u dërgua në klubin lokal, FC Phoenix Otterbach, nga nëna e tij, Tina, e cila po kërkonte një aktivitet tjetër për të plotësuar mungesën e futbollit amerikan që biri i saj e kishte luajtur në SHBA.
Edhe
McKennie pritet ta vazhdojë kontratën me Juventusin
Mckennie shënoi tetë gola në ndeshjen e tij të parë dhe u ngrit shpejt për të luajtur me tetë-vjeçarët e klubit. Duke ditur pak për sportin me të cilin po shquhej, vetëm kur ekipi i SHBA-së erdhi në qytet për një miqësore kundër Polonisë në Kaiserslautern në vitin 2006, sytë e shtatëvjeçarit McKennie u hapën në botën e mundësive të futbollit që iu paraqitën. Ai u takua me yjet e ekipit të përzgjedhësit Bruce Arena, kishte këpucët e firmosura nga Landon Donovan dhe vendosi që një ditë të luante për SHBA-në. Pas tre vjetësh në Gjermani, McKennie dhe familja e tij u kthyen në SHBA, dhe obsesioni i tij për futbollin i mbijetoi udhëtimit përsëri përtej Atlantikut. Ai së shpejti u bashkua me FC Dallas, duke u shndërruar në një nga mesfushorët më të mirë të vendit, ku mori ftesa rregullisht për gjeneratat e reja të SHBA-së. McKennie gjithashtu ndihmoi klubin e MLS-së të fitojë kampionatin kombëtar të Akademisë së Zhvillimit të Futbollit në vitin 2015. McKennie u ngrit shpejt në radhët e të rinjve të SHBA-së. Në nivelin U19, trajneri Brad Friedel ishte aq i impresionuar saqë e shtyu atëbotë lojtarin 18-vjeçar të Dallasit te ekipi U20.
“Përshtypja ime e parë ishte se ai është një lojtar që ka këtë energji të pafund në mes të fushës”, thotë Tab Ramos, trajneri i SHBA-së, në atë kohë. “Ai është një lojtar shumë i fuqishëm. Ai është një punëtor i pamëshirshëm”.
Në të njëjtën kohë, McKennie po mendonte për një vendim që do të formonte pjesën tjetër të karrierës së tij. Atij do t'i ofrohej një bursë në Universitetin e Virginias dhe Dallasi donte ta lidhte atë me një kontratë të lojtarit të akademisë. Pastaj, Schalke shprehu interesim për të duke ia ofruar mundësinë për t'u kthyer në Gjermani që të provojë veten në Bundesligë.
“Ai ishte në kampin tim në Kaliforni dhe në atë moment u largua për në Gjermani”, kujton Ramos. “Ai më tha se kishte jetuar në Gjermani dhe se ishte e lehtë për të, sepse ai fliste gjermanisht. Ai ishte duke pritur për atë mundësi që kur u kthye në SHBA, dhe mendoj se ishte gati”.
Schalke bëri përpjekje për të joshur McKennien. Schalke e kishte menaxher të ekipit U19 Norbert Elgertin, një trajner veteran e i respektuar, që ka ndihmuar në zhvillimin e Mesut Ozilit, Manuel Neuerit dhe Leroy Sanet. Ai paraqiti planet e klubit për amerikanin. Dhe McKennie e familja e tij u ftuan për një vizitë në stadiumin mbresëlënës “Veltins-Arena”, me kapacitet prej 62 mijë ulëseve.
“Këtu do të jesh ti një ditë”, i tha Tina McKennie djalit të saj, derisa po qëndronin në mes të fushës.
“Po, shpresoj”, u përgjigj ai.
Pas mbërritjes në Gelsenkirchen, qyteti industrial ku ka selinë Schalke, aftësitë e McKenniet lanë përshtypje, por ishte etika e tij e punës ajo që bëri më shumë jehonë në mjedisin e ri.
“Wes rrezaton kënaqësi, siguron shumë argëtim dhe atmosferë pozitive në ekip”, thotë Elgert. “Por ai menjëherë nga argëtimi mund të kalojë në seriozitet dhe të përqendrohet plotësisht në ndeshje dhe stërvitje”.
Edhe
Mckennie nis negociatat për kontratën e re
Pjekuria dhe përkushtimi i McKenniet gjatë zhvillimit të tij e panë atë shpejt të largohej nga futbolli i të rinjve. Brenda nëntë muajve nga mbërritja e tij në Gjermani, ai u promovua në ekipin e parë të Schalkes, duke debutuar në maj të vitit 2017 përpara se të stabilizohej si titullar i rregullt për sezonin vijues. Në nëntor të atij viti ai përmbushi një ëndërr duke ndjekur gjurmët e Landon Donovan dhe lojtarëve të tjerë amerikanë që i kishte takuar si shtatëvjeçar, pasi bëri debutimin te SHBA-ja në miqësoren kundër Portugalisë. Në minutën e 20-të, McKennie shënoi gol për t’u bërë golashënuesi i tretë më i ri debutues te ekipi amerikan. Dhe madje edhe në nivelin ndërkombëtar, shkalla e punës që e kishte bërë të dashur për tifozët dhe trajnerët e Schalkes, ra në sy.
“Weston ka kaq shumë energji”, thotë Berhalter. “Ai është gjithmonë lojtari i fundit që largohet nga fusha pas stërvitjes. Të paktën stërvitet edhe për gjysmë ore shtesë”.
Schalke ishte nënkampione e Bundesligës në edicionin 2017/18, por shitjet dhe keqmenaxhimi i lojtarëve bënë që për pjesën më të madhe sa McKennie ishte titullar, të luftonte për mbijetesë. Në periudhën e trazirave të klubit, amerikani u shfaq si një udhëheqës. Në nivelin ndërkombëtar, energjia, angazhimi dhe personaliteti i tij kanë bërë që ai të jetë i respektuar edhe te SHBA-ja. Ndërsa profili i tij është rritur, McKennie është përpjekur të udhëheqë dhe të frymëzojë gjithashtu edhe jashtë fushës. Ngjashëm me punën e yllit të Manchester Unitedit, Marcus Rashford për të luftuar varfërinë në Mbretërinë e Bashkuar, McKennie dhe shokët e ekipit amerikan Tyler Adams dhe Christian Pulishiq u bashkuan për të mbështetur “Feeding America”, organizatën më të madhe për zvogëlimin e urisë në vend. 22-vjeçari ka qenë një nga zërat më të fortë të futbollit në fushatën kundër padrejtësisë shoqërore.
Pasi ishte bërë simbol i Schalkes ai po qëndronte me familjen e tij duke shqyrtuar transferimin e ardhshëm, pasi klubi ia kishte bërë me dije se do të detyrohej ta largonte në verën e këtij viti. Një lëvizje në Premier League, ata që ishin rreth McKennie e menduan se do të ishte hapi tjetër logjik.
Megjithatë, pak persona, përfshirë McKennien, parashikuan një kalim të tij te gjiganti i futbollit të Evropës. Interesimi i Juventusit e kapi atë në befasi dhe vetëm kur transferimi po finalizohej, McKennie e lejoi veten të besonte se po ndodhte vërtet.
“Wes ishte i hipnotizuar nga ideja për të hedhur hapin tjetër në zhvillimin dhe karrierën e tij duke stërvitur me yje të futbollit si Cristiano Ronaldo, Gianluigi Buffon e Paulo Dybala”, thotë Elgert.
“Kur një trajner si Andrea Pirlo të dëshiron vërtet dhe mendon se mund të kesh ndikim në ekipin e tij, është shumë e vështirë t'i thuash jo kësaj oferte”.
Te Schalke e krahasojnë McKennien me mesfushorin e Liverpoolit, holandezin Georginio Wijnaldum.
Edhe
Mckenniet i ofrohet kontrata e re
“Juventusi është një ndër klubet më të mira në botë”, shtoi Elgert.
Duke pasur parasysh talentin e tij natyror atletik dhe premtimin e hershëm se mund të arrinte shumë në futboll, McKennie në moshën 22-vjeçare është duke luajtur për gjigantin italian. Dhe, duke bartur fanellën e Juventusit, McKennie po realizon ëndrrën amerikane për të bërë karrierë në Evropë./Guardian