Sport

Ajdini është krenar që do të luajë për Kosovën

I lindur në Gjenevë dhe i rritur si lojtar te Servette, Alban Ajdini është emri i ri i përfaqësueses së Kosovës në futboll. 24-vjeçari të premten ka udhëtuar nga Zvicra për në Kosovë, ndërsa ndihej shumë krenar ende pa veshur fanellën e përfaqësueses A. Ai është i lumtur që bëhet lojtari i radhës me prejardhje nga Lugina e Preshevës në përfaqësuesen e Kosovës.

Ajdini është me prejardhje nga Tërnoci i Madh, por është i lindur dhe i rritur në Zvicër. Aktualisht është pjesë e skuadrës së Superligës së Zvicrës, Stade-Lausanne-Ouchy. Te kjo skuadër është prej vitit 2021, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2025. Ajdini luan kryesisht në sulm. Paraqitet në disa pozita ofansive.

“Jam shumë i lumtur. Jam i gatshëm dhe i përkushtuar të jap maksimumin për Kombëtaren e Kosovës. Jam i lumtur edhe më shumë për faktin se shtohet edhe një lojtar nga Lugina që do të kontribuojë për Kosovën. Në fakt e gjithë familja ime është e lumtur dhe krenare për ftesën që e mora nga Kosova”, ka thënë Ajdini për KOHËN.

Fanella e Kosovës në fakt nuk është e re për Ajdinin. Në tetor të vitit 2020 ai luajti dy ndeshje kualifikuese me Kosovën U21. Luajti 52 minuta ndaj Austrisë dhe 81 minuta ndaj Andorrës, ndërsa kontribuoi me asistim në golin e vetëm të shënuar nga Mirlind Daku.

Ajdini 24-vjeçar po luan rregullisht për Stade-Lausanne. Në 11 ndeshjet e deritashme ka kontribuuar me tre gola e dy asistime.

“Po kaloj formë të mirë në skuadër dhe shpresoj që të shfaqem sa më mirë te Kosova. Shpresoj që ky grumbullim të kalojë sa më mirë për mua”, ka shtuar Ajdini.

Ai në janar të vitit 2021 ishte huazuar te Stade-Laussane nga Servette. Me Servetten i kishte pesë ndeshje në Superligë, ndërsa me Lausanne-Ouchy fillimisht luajti në kategorinë e dytë. Lausanne-Ouchy për herë të parë po paraqitet në elitën helvetike, ndërsa Ajdini është prej lojtarëve kryesorë të skuadrës. Ai shpreson që të bëhet i rëndësishëm edhe te Kosova.

Kosova menjëherë të dielën luan ndaj Izraelit, ndërsa më pas ka ndeshje me Zvicrën dhe me Bjellorusinë. Mbetet të shihet nëse përzgjedhësi Primozh Gliha do t’ia ofrojë rastin për debutim Ajdinit.