Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Hajdari tregon për kërcënimet pas vendimit që të kalojë nga Zvicra te Kosova

Albian Hajdari

Albian Hajdari ka folur shumë herë lidhur me kalimin nga Zvicra te Kosova. Por asnjëherë nuk ka dhënë më shumë detaje se në intervistën për mediumin zviceran “Watson”. Në fakt intervista është bërë në prag të publikimit të një dokumentari që ka të bëjë me ndryshimin e përfaqësueseve nga futbollistët në Zvicër.

Hajdari ishte pjesë e Zvicrës kur iu bashkua Kosovës, vitin e kaluar. Madje ishte grumbulluar edhe për ndeshje të Ligës së Kombeve, por nuk ishte aktivizuar. Ishte paraqitur vetëm në një miqësore dhe për këtë e kishte të drejtën të kalonte te Kosova.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Hajdari është pyetur nëse do ta konsideronte gabim paraqitjen me Zvicrën në Ligën e Kombeve dhe kështu humbjen e së drejtës për kalim te Kosova.

“Nuk mund të them. Nëse do të luaja, do të ishte fundi i kësaj. Do të më duhej të paraqitesha aq mirë sa që trajneri të mos mund të bënte më pa mua”, ka thënë Hajdari, që gradualisht po shndërrohet në lider të mbrojtjes së Kosovës.

“Kur vendose fillimisht që më nuk dëshiron të luash për Zvicrën?”, ishte pyetja tjetër që iu bë 23-vjeçarit të Hoffenheimit.

“Grumbullimi për ndeshje miqësore ishte qartë moment i rëndësishëm. Kam shpresuar të fitoj rastin për të shfaqur cilësitë e mia si opsion për të ardhmen. Kur përfundova duke luajtur ‘vetëm’ 45 minuta prej 180 të mundshëm, sinqerisht u dëshpërova”.

Hajdari ka pyetur veten se pse ftohen lojtarët e rinj si ai dhe më pas kanë aq pak hapësirë. Nuk e ka kuptuar këtë.

Ai ka pritur më shumë përpjekje nga Federata e Futbollit e Zvicrës dhe selektori, Murat Yakin.

“Në atë kohë, kur gjërat po ecnin mirë për mua në nivel klubesh te Lugano dhe po paraqitesha mirë në nivel ndërkombëtar, kam pritur më shumë. Kam shpresuar se ata do t’i bënin planet e tyre më të qarta për mua dhe, mbi të gjitha, do të më jepnin besimin për të dëshmuar veten. Përfundimisht kjo ndikoi në vendimin tim”, ka theksuar Hajdari.

Në dokumentar, Hajdari ka bërë të qartë se historia e Kosovës ishte faktor vendimtar në zgjedhjen e tij. 

“Më është dashur të futem më thellë në historinë e dy vendeve. Kosova është vend relativisht i ri, që ka vuajtur shumë kohët e fundit. Pata shumë biseda me njerëz që e kishin përjetuar këtë. Atëherë e kuptova: nëse mund të arrija diçka me këtë vend, nëse mund të marrim pjesë në Kupë të Botës apo Evropian, ose edhe të fitojmë një ndeshje të vetme, mund t’i bëj njerëzit jashtëzakonisht krenarë. Ky ishte momenti përcaktues për mua: mund të jem pjesë e sjelljes së suksesit në vend. Kjo më mbushi me një ndjenjë ngrohtësie”, ka theksuar Albian Hajdari.

Mbrojtësi i Bundesligës thotë se mund të bëhet fytyrë e Kosovës. Në Zvicër, ka shtuar Hajdari, kjo nuk ndodhë brenda natës. 

“Të luash mirë në dy kampionate evropiane apo botërore nuk mjafton. Kërkohet shumë më tepër. Për më tepër, kam dashur të inkurajojë të tjerë lojtarë të rinj që do të përballen me vendimin në të ardhmen dhe t’u tregoj atyre se mund të arrihen gjëra të mëdha edhe me vende të vogla”, ka theksuar Hajdari.

Por a është befasuar futbollisti me reagimin publik në Zvicër?

“Jo, e kam pritur këtë. Ajo që më ka befasuar më së shumti ishte frika në Zvicër e humbjes së lojtarëve me shtetësi të dyfishtë. Duhet të jeni të përgatitur për këtë. Pas vendimit të Leon Avdullahut, pati reagime të shumta dhe pyetje pse. Kam menduar se për mua reagimet do të ishin më të qeta. Por ishte edhe më i madh reagimi dhe zgjati për muaj pasi tashmë isha pjesë e ekipit përfaqësues të Zvicrës”.

Vendimi i Hajdarit për të kaluar nga Zvicra te Kosova nuk është pranuar me sportivitet nga të gjithë.

“Kishte kërcënime dhe fyerje shumë personale. Njerëzit më shkruanin duke më thënë se e dinin ku jetoja unë dhe prindërit e mi. Se do t’i sulmonin prindërit e mi nëse nuk do të isha në shtëpi. Por unë nuk i marr shumë afër zemrës këto mesazhe në rrjetet sociale. Është pjesë e lojës dhe duhet të jem në gjendje ta përballoj. Familja ime është prekur më rëndë, por u thashë familjarëve: ‘Kjo ka të bëjë me mua. Unë mora vendimin, kështu që është përgjegjësia ime t’iu mbroj nga kjo. Ju nuk duhet të frikësoheni nga kjo”, ka treguar Hajdari.

Mbrojtësi i Kosovës ka thënë se kur vendosi për përfaqësuese, prindërit ia treguan dy opsionet, përparësitë dhe disavantazhet e dy opsioneve. Prindërit e kanë përkrahur për secilin vendim që do ta merrte. Vendimin që të luajë për Kosovën, Hajdari thotë se e mori vetë.

Ai nuk është pishman për vendimin, ndonëse Zvicra është në Botëror e Kosova jo. Ai thotë se qëndron 100 për qind pas çdo vendimi. Hajdari ka theksuar për “Watson” se Kosova është ende e re dhe ka potencial për të arritur gjëra të mëdha. 

“Dua të jem pjesë e këtij tregimi”.